Nga Klevis Elezi

Unë jam rritur me idenë e një të djathte që bashkon, jo që përjashton. Me një Parti Demokratike që nuk kishte frikë nga mendimi ndryshe, por e përdorte atë për t’u forcuar. Sot, për fat të keq, ajo që po shoh nuk ka më lidhje me atë frymë.

Ngjarjet e fundit brenda PD-së nuk janë më thjesht debate politike. Janë një alarm i fortë për mënyrën se si po trajtohen njerëzit brenda saj. Përjashtime, largime, mbyllje dyersh për ata që nuk rreshtohen kjo nuk është më politikë, është një proces i qartë spastrimi.

Dhe këtu qëndron problemi më i madh: kur një parti fillon të ketë frikë nga vetë anëtarët e saj, ajo ka humbur thelbin. Një forcë politike që nuk duron dot zërin ndryshe, nuk mund të pretendojë të përfaqësojë një shoqëri të lirë.

E them këtë jo si spektator, por si dikush që e njeh mirë politikën dhe mekanizmat e saj. Nuk ndërtohet opozita duke përjashtuar. Nuk krijohet besim duke larguar njerëzit që kanë kontribuar ndër vite. Përkundrazi, kështu vetëm sa thellohet kriza dhe dobësohet çdo shpresë për rikthim.

Sot PD nuk është në betejë me kundërshtarin politik. Është në betejë me vetveten. Dhe kjo është beteja më e rrezikshme, sepse zakonisht është ajo që të shkatërron nga brenda.

“Lamtumirë PD” nuk është një deklaratë e lehtë për t’u bërë. Është një zhgënjim. Është një reflektim i asaj që po ndodh përpara syve tanë. Sepse kur një parti humbet njerëzit e saj, humbet edhe arsyen pse ekziston.

Në fund, pyetja që i bëj vetes është e thjeshtë:
A është kjo ende Partia Demokratike që ne besuam?
Sepse nëse përgjigjja është jo, atëherë ndoshta “lamtumira” ka nisur prej kohësh.