TIRANE, 07 mars 2013 – "Mbase do të kthehem në teatër, në oborr a në holl, por e di se në skenë nuk do ngjitem më kurrë. Më ndero". Këto kanë qenë fjalitë e kobshme që i ka thënë bashkëshortes, ditët e fundit ashtu si nën zë Roland Trebicka. Ai do të kthehet sot edhe një herë në teatër, në holl e në oborr, por nuk do të ngjitet më në skenën e tij. Ikona, mjeshtri i madh i skenës shqipe, legjenda e teatrit u shua dje në moshën 65-vjeçare, për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Grahmat e fundit i dha në shtëpinë e tij, dje në drekë rreth orës 14:30, derisa shpirti i tij u nda nga trupi, për të ikur drejt qiellit. Pranë tij, janë gjendur e shoqja e mikja e jetës së tij, Violeta dhe dy vajzat, Manjola që kishte ardhur enkas nga Franca dhe Evisi që jeton në Tiranë. Lajmi i rëndë, befasoi miqtë e të afërmit. Shumëkush pat menduar se ai e mundi vdekjen, por jo, ai thjesht e kishte mposhtur për pak kohë. Homazhet u mbajtën sot në Teatrin Kombëtar, nga ora 11:00 deri në orën 13:00. Ai u rikthye sot për herë të fundit në Teatër, në holl e në oborr, por nuk mundi të ngjitej në skenën e tij. Kolegë, miq, artdashës e qytetarë të shumtë u mblodhën sot në hollin e Teatrit Kombëtar, për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit unik, Roland Trebicka. Homazheve iu bashkuan edhe krerët e politikës, të cilët u përkulën me nderim përpara trupit të pajetë të aktorit të mirënjohur. Pas zhvillimit të homazheve për rreth 2 orë, trupi i pajetë i aktorit u nis drejt banesës së fundit mes duartrokitjeve që e shoqëruan gjatë gjithë jetës.
RAMA: NJE BOSHLLËK I PAZEVENDESUESHEM NE TEATRIN SHQIPTAR
Rreth orës 11:00, kryetari i PS-së Edi Rama u përul me nderim përpara trupit të pajetë të aktorit të mirënjohur Roland Trebicka. Pasi shkruajti mesazhin e tij në librin e kujtimeve, Rama deklaroi se humbja e Trebickës është një boshllëk i pazëvendësueshëm në Teatrin shqiptar.
“Me nderim e përcjellim jo vetëm si një komik të madh, por edhe si një njeri vërtet të rrallë”- deklaroi Rama.
META: ROLET E TREBICKËS DO TË NA SHOQËROJNË GJITHMONË
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë në ceremoninë-homazh, të përcjelljes për në banesën e fundit të aktorit të madh të skenës dhe ekranit, "Artistit të Merituar", Roland Trebicka, i cili u nda nga jeta dje, pas një semundjeje të gjatë.
Pasi la përshtypjet e tij në librin e shënimeve për figurën e aktorit të shquar, Meta e vlerësoi Trebickën si "një nga aktorët më të dashur për publikun shqiptar". Ai u shprehu familjarëve të Trebickës ngushëllimet për këtë humbje të madhe, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për artin dhe publikun shqiptar.
TOPALLI: TË GJITHË NE HUMBËM NJË KOLOS TË KOMEDISË SHQIPTARE
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bëri sot homazhe në ambientet e Teatrit Kombëtar, në nderim të aktorit të mirënjohur Roland Trebicka, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme në moshën 66 vjeçare. Kryetarja Jozefina Topalli shprehu ngushëllimet e sinqerta bashkëshortes, fëmijëve dhe familjarëve të aktorit të shquar Trebicka për humbjen e njeriut të tyre të dashur. "Të gjithë ne, arti shqiptar, ekrani, humbëm një kolos të komedisë shqiptare", tha Topalli.
Në një mesazh ngushëllimi drejtuar familjes Trebicka, Kryetarja e Kuvendit vlerëson se mjeshtria e Tij, pasioni i jashtëzakonshëm në interpretimin e qindra roleve, dashuria për profesionin bënë të mundur që emri i Rolandit të gdhendet në zemrat dhe mendjet e çdo brezi në përjetësi.
"Me ikjen e Rolandit ne ndahemi nga njeriu që, me inteligjencë të pakrahasueshme dhe shpirt fisnik, na dhuroi hare, gëzim e lumturi me talentin e vlerat e tij artistike të paçmueshme. Teatri Kombëtar ka sot një Mjeshtër të Madh të papërsëritshëm më pak", shprehet Kryetarja e Kuvendit në mesazhin e saj të ngushëllimit.
BUMCI: SKENES SHQIPTARE DO T’I MUNGOJE SHARMI I GJENIUT TE HUMORIT
Edhe ministri i Kulturës, Aldo Bumci, zhvilloi sot homazhe në nder të aktorit Roland Trebicka. Ai deklaroi se dita e sotme është një dite zie për kulturën shqiptare ndërsa shtoi se skenës shqiptare do t’i mungojë sharmi i gjeniut të humorit.
“Më i madh se talenti ishte dhe vullneti i tij. Në rolin e tij të fundit u ngrit në këmbë si çelik përmes vullnetit. Na bëri të besojmë se mrekullia kishte ndodhur e kishte fituar betejën me sëmundjen. Trebicka është nga ata njerëz që kanë qenë të bekuar, ka hyrë në familjet tona na ka bërë të buzëqeshim. I paharruar qoftë emri i tij.”- u shpreh ministri Bumçi.
RAJMONDA BULKU
“Na iku një aktor jashtëzakonisht i veçantë, që nuk do të harrohet. Ne do të na mungojë shumë. Ishte i papërtuar, vetëm t’i kërkoje ndihmë dhe ishte padyshim me ty në çdo moment. Do na iki gazi i bukur i teatrit. Ai nuk ishte njeri që tregonte barcaleta, por situata humori.”
LUFTAR PAJA
“Nuk ishte vetëm një aktor i madh, po një njeri i madh. Unë e kam njohur në skenë dhe nëpërmjet interpretimeve që kemi bërë bashkë. Ai na humbi fizikisht, por vepra e tij nuk humbet, pasi ka lënë gjurmë të thella në zemrat e spektatorit shqiptar. Ai tha, u pa rruga ime, por juve ju lë amanet të mos qani. Ai ishte optimist për të ardhmen e njerëzve. Shoqëria artistë si Roland Trebicka duhet t’i vlerësojë më shumë sa janë gjallë, jo vetëm në këto momente kaq të hidhura”.
ILIR BEZHANI
“Vetë koha po vajton për humbjen e Rolandit, mikut tonë të shtrenjtë, brilant në humor. Ai ka një karrierë të mrekullueshme. Rolandi nuk e kishte kohën për të ikur tani. Ai ishte i dashuruar pas skenës dhe publiku ishte i dashuruar pas tij për ta parë. Ai kishte një plastikë të jashtëzakonshme, që lidhej shumë bukur me publikun. Kur hynte në skenë ai kishte energji, potencë. Humorin nuk e kishte rastësor, e kishte dhe në jetë, ishte shumë spontan. Humori ishte brenda ADN-së së tij. Ai e lidhte humorin me ca nuanca korçarizmi. Kishte shtojca batutash të bukura, të lehta dhe pikante, të lidhura me krijimtarinë. Tek “pallati 176” , ai e shtoi vetë frazën “Sander mafishja”, dhe mbeti kështu.”
MANJOLA TREBICKA: ORËT E FUNDIT TË BABAIT TIM
Ajo i ka qëndruar mbi kokë gjatë gjithë kohës që ka qenë në spital në Francë, duke uruar në secilën prej atyre ditëve që jeta e tij të ishte sa më e gjatë. Sot, dy vite më vonë, qëndron pranë arkëmortit, e mpirë, me sy të përlotur. Manjola Trebicka është vajza e madhe e aktorit Roland Trebicka. Ka qenë edhe krenaria e tij. E donte pamasë të bijën, e përmendte shpesh… Vetëm dy ditë më parë, ajo do të udhëtonte në mesnatë, nga Parisi drejt Tiranës, për të takuar edhe një herë të gjallë të atin, njeriun që e solli në jetë dhe e rriti. Manjola duket se i ka ngjarë shumë. Ka qetësinë e madhështinë e tij. Po e nderon të atin, ashtu si ai ia kërkoi; po e përcjell me dinjitet ashtu si ai e meritoi. Mes ngashërimeve e dhimbjes, e shkëpusim nga pritja dhe e pyesim për orët e fundit me të.
U duk se ai e mori veten, se rreziku ishte zhdukur. Prej sa kohësh ishte përkeqësuar?
Prej katër ditësh ka qenë shumë keq. Të dielën shenjat e përkeqësimit janë bërë më të qarta, derisa sot (dje) në drekë, na la. Babai kishte një muaj që nuk dilte nga shtëpia. Për herë të fundit doli në fillimshkurt, për të xhiruar "Ëndrrën e Ismail Qemalit". Qe edhe hera e fundit që shkoi në teatër.
Kë ka takuar?
Asnjë. Nuk donte që ta shikonte njeri në gjendjen që ishte, nuk donte t'i mërziste miqtë e të afërmit. Nuk donte vizita. Nuk donte ceremonira. Thoshte "më përcillni thjesht!"
Kur keni ardhur nga Franca?
Kam ardhur të martën në mbrëmje. Më lajmëruan se babai nuk ishte mirë dhe erdha të qëndroja me të, ta shihja sërish gjallë. Unë e kam takuar dje (pardje) në orën 12 të natës. Në atë orë munda të mbërrija nga Parisi.
Çfarë ju tha në komunikimin e fundit?
Më falënderoi që erdha dhe u gëzua që më pa.
Po dje, si ishte?
Dje, ishte dita e fundit, nuk foli fare. Nuk kam mundur të komunikoj me të. Vetëm na ka parë të gjithëve me radhë.
U nda nga jeta, në shtëpi?
Po, në shtëpi. Nuk ka dalë prej këtu. Edhe shërbimet e fundit shëndetësore iu bënë në shtëpi.
Ju e keni shoqëruar kur qe në Francë gjatë kohës së qëndrimit në spital. A parashihej të ishte kaq e parakohshme ikja e tij?
Kur erdhi nga Franca ishte disi më mirë. Edhe këtu vijoi të ndiqte kimioterapinë në spital, siç e bëri atje. Operacioni ndihmoi aq sa mundej. Iu zgjat jeta edhe dy vite e gjysmë, po s'mund të bëhej më shumë.
/Marrë nga BalkanWeb/