Teksa punoja për mbylljen e faqeve sportive për gazetën, miku im i mirë Bashkim Koka më jep njoftimin e dhimbshëm për ndarjen nga jeta të Sopot Rustemit. “E di që ke patur relata të mira me Sopotin dhe gjithnjë keni diskutuar për futbollin. Por më duhet të të them, se s’do ta kemi më pranë nesh. Do të na mungojë tek kafeja e mëngjesit, tek prania në sa e sa biseda të bukura e të këndshme për futbollin. Eh, jeta kjo qenka!” Dhe këtu mbaroi njoftimi telefonik drithërues i Bashkim Kokës, për të filluar të shfletoj librin e kujtesës për Sopot Rustemin. Është pak të thuash, se ai ishte një njeri për t’u pirë në kupë. Në tërësi për njerëzit që largohen nga jeta, flitet mirë, jepen dhe shpërndahen opinione pozitive. Por në rastin e Sopot Rustemit, gjithçka e mirë e folur për të është më se e merituar. Dikush tha për të, se kishte lindur për të qeshur e për të qenë një babaxhan i vërtetë. Shumë hokatar, i gjindshëm dhe fisnik, ku bashkoheshin në mënyrën më të mirë humanizmi me dhembshurinë, optimizmi me kurajën, babai i dashur dhe bashkëshorti i respektuar, shoku, miku me bashkëqytetarin e nderuar.
Të gjitha epitetet që do të zgjidhnim për të, janë me se të merituara. Por ajo që e vendos Sopot Rustemin në faqet sportive të “Dyrrahut” tonë, është karriera e tij në këtë fushë. Sopoti është i datëlindjes 1934 dhe herët ndjeu pasion dhe kënaqësi të veçantë për t’u marrë me futbollin. Për të qenë të matur dhe për të mos na mundur, qoftë dhimbja e madhe që ndjejmë për të por edhe melankolia dhe sentimentalizmi i viteve, iu drejtuam për të marrë opinione për Sopot Rustemin nga emrat e njohur të futbollit durrsak Met Myshku e Teli Ciko, nga Mustafa Saraçi e Feti Golashi, nga Xhoxh Pasku e vëllezërit Dano. Sopoti luajti në portë, për të mbrojtur nderin e rrjetës durrsake. Durrësi është i njohur për portierë cilësorë. Zor se mund të ketë ruajtës portash në Shqipëri, kaq elegantë, kaq të aftë dhe cilësorë si në Durrës.
Të gjithë bashkëbiseduesit tanë shkundën pluhurin e viteve dhe nxorën nga arkivat e kujtesës emra të tillë si Xhep Gruda e Xhep Balliu, Palush Gajda dhe Mile Qoshja, Jonuz Teli e Raqi Pisku, Shefqet Topi dhe Teli Ciko, Kristaq Xhumari e për të vazhduar tek më të rinjtë Pandi Zoga, Naim Dollaku, Tole Fështi, Vladimir Ajazi, Agim Maliqati, Artur Lekbello etj. Dhe në fillimin e viteve 50-të e deri në fund të kësaj dekade, portën e futbollit durrsak e ka mbrojtur edhe Sopot Rustemi. I aktivizuar me ekipin e Spartakut të Durrësit, të Punës së Durrësit, të Dinamos së Durrësit e deri tek Lokomotiva e njohur, që erdhi pas unifikimit dhe shkrirjes të të gjithë këtyre ekipeve. Arti më i madh që e cilësonte Sopot Rustemin krahas të qenurit ruajtës i portës, ishte dhe mbeti deri në ditët e fundit të jetës ruajtësi i dashurisë së pakufi për njerëzit e afërt, për miqtë e shokët, madje edhe për ata që sapo mund t’i kishte njohur.
Shokët e futbollit flasin për një futbollist pasionant dhe shumë punëtor. Ndonëse në kushtet e një konkurrence të madhe, ai gëzohej për çdo sukses që arrihej nga çdo futbollist dhe nga ekipi i qytetit. Ai ishte ndër të parët që krijoi ekipin e Lokomotivës që në zanafillën e tij në vitin 1956, duke pas qenë më parë shumë i obliguar në të gjitha nivelet e përfaqësimit. Dashurinë për sportin ia kultivoi edhe djalit të tij Sabriut, që mbetet ndër basketbollistët më të shquar të Teutës së viteve 80-të, duke prekur kufijtë e karrierës deri në ekipin përfaqësues. Ndërsa vajza e tij Ela, lidhi jetën me emrin e njohur të futbollit durrsak Bashkim Kokën. Sopot Rustemi një pjesë të jetës së tij ia kushtoi futbollit, komuniteti i të cilit i përkulet me respekt djalit të tij zemërflori. Por edhe qytetaria durrsake e inkuadron me shumë bindje në radhët e saj, së cilës iu përkushtua me të gjithë dijet dhe aftësitë e tij të rralla njerëzore. Lamtumirë njeriu i mirë Sopot Rustemi!