SHBA– Lance Armstrong ka pranuar për herë të parë publikisht se ka përdorur drogë për të përmirësuar performancën e tij në çiklizëm. Në një intervistë për emisionin e famshëm të Oprah Winfrey çiklisti me famë botërore ka rrëfyer se të 7 turet e Francës të fituara prej tij i ka marrë në sajë të dopingut që bënte para çdo gare.
“Merrja doping para çdo gare ne turet e Francës. Është e pamundur të fitosh ndryshe 7 tituj. Tani më vjen turp për atë që kam bërë dhe po e paguaj çmimin”, ka thënë Armstrong.
Ish-çiklisti ka zgjedhur këtë mënyrë për të zbrazur gjithë gënjeshtrat e fitoreve të tij spektakolare në turin e Francës nga viti 1990-2005, ndërsa për 13 vjet me radhë kishte mohuar çdo akuzë në lidhje me këtë fakt. Por Armstrong saktësoi se hera e fundit që përdori drogë ishte në vitin 2005 dhe nuk i përdori substancat stimuluese në rikthimin e tij në vitin 2009 e 2010.
Armstrongut iu hoqën të gjithë titujt e fituar, pas raportit të Agjencisë Anti-Doping në tetorin e kaluar dhe iu ndalua që të marrë pjesë në garat e çiklizmit. Ai humbi pothuajse të gjithë sponsorët e tij dhe u largua nga fondacioni bamirës kundër kancerit ‘Livestrong’, që e themeloi vetë në vitin 1997.