Në pasditen e 25 Majit, mes shumë miqve dhe bashkëpunëtorëve, në ambjentet e Kalasë së Tiranës u lançua aplikacioni më i ri për turizmin në Shqipëri, What in Albania, ose shkurt WIA.
Ky aplikacion premtues synon t’u ofrojë turistëve një mënyrë më të shpejtë, fleksibël dhe inovative për të eksploruar më mirë vendin tonë.
WIA vjen në një kohë kur turizmi është bërë temë kryesore e diskutimeve publike, duke ofruar zgjidhje inteligjente për shumë nga problemet që ky sektor përballet, që nga mungesa e burimeve njerëzore, paqartësia ne aksesin e informacionit për transportin ndërqytetas e deri te mungesa e një strategjie të konsoliduar marketingu ndërkombëtar.
Sipas Joana Myzeqarin, një nga bashkëkrijueset e këtij aplikacioni, ky është një moment që duhet shfrytëzuar, pasi Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm jo vetëm natyror, por edhe historik, kulturor dhe kulinar.
Ajo thekson se ndërtimi i aplikacionit dhe të gjithë elementët që ai përmban janë krijuar duke pasur parasysh këtë pasuri të vendit tonë, të cilën janë përpjekur ta pasqyrojnë sa më mirë në të gjitha opsionet që ofron ai.
Gjatë demonstrimit publik të aplikacionit, të ftuarit patën mundësinë të shihnin live të gjitha kategoritë dhe rubrikat e tij, por pa dyshim risi ishte guida inteligjente që aplikacioni gjeneron.
Guida AI funksionon si një ciceron dixhital, që pas vendosjes së të dhënave lidhur me ditët që do të qëndroni në Shqipëri dhe interesat tuaja, gjeneron një plan të detajuar se si mund të shfrytëzoni kohën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Për më tepër, aplikacioni bashkërendon shumë mirë fasilitetet që ju nevojiten dhe ju jep mundësinë të aksesoni të gjitha informacionet edhe online.
Aplikacioni është tashmë i disponueshëm online dhe mund të shkarkohet në telefonat tuaj duke shkuar ne www.wia.al.
Mbi të gjitha, rekomandojani miqve tuaj të huaj, të cilët me siguri kanë qenë duke pritur një aplikacion të tillë për ta shijuar më shumë Shqipërinë.