Barcelona u mposht 3-1 në “El Clasico” përballë Realit të Madridit në “Santiago Bernabeu”, duke mbyllur kështu një javë të errët (praktikisht, është eliminuar edhe nga Champions League).

Në ndeshjen e luajtur kundër skuadrës së Carlo Ancelottit, gjyqtari Sánchez Martínez ka zbuluar se Joan Laporta, president i Barcelonës, ka hyrë në dhomën e zhveshjes së zyrtarëve të ndeshjes pas përfundimit të takimit. Kreu i klubit “blaugrana” ka kërkuar llogari për një penallti (të padhënë) të shkaktuar nga Carvajal ndaj Lewandowski dhe gjithashtu ka shprehur pakënaqësinë për 11-metërshin e vërshëllyer pas shkeljes e Eric Garcias ndaj Rodrygos.

“Pasi ndeshja mbaroi dhe trupa e arbitrave u fut brenda dhomës së zhveshjes, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, iu qaset zyrtarëve në mënyrë të përsëritur duke kërkuar shpjegime për disa situata në ndeshje. Nisur nga këto ngjarje, ai u ftua të largohej nga dhoma e zhveshjes së arbitrit, pa krijuar incidente të mëtejshme”, ka shkruar arbitri Sánchez Martínez në raportin e ndeshjes.