Pas Durrësit dhe Vlorës, për analistin Lorenc Vangjeli, kryeministri Edi Rama do të ngjitet deri në Shkodër për të kandiduar për deputet në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Vangjeli u shpreh, se kryeministri ka rigjetur dashurinë për Shkodrën, ndërsa thotë se ky qark shihej si një “mollë e ndaluar” për socialistët, të cilët janë të gatshëm “t’i çojnë edhe Lungomaren e Vlorës nëse do të kenë mundësi”.
“Me shpirt, kam përshtypjet te dashuria e tij e rigjetur për Shkodrën. Shkodra ka qenë basti i madh i tij. Shkodra ka qenë si një grua për të dyja palët. PD-ja e mendonte si një grua që e kishte në shtrat dhe çfarë do që t’i bënte, ta dhunonte, ta mbante mbyllur, ajo nuk do të largohej nga shtëpia. Ndërkohë, PS-ja e shihte si një bukuroshe, tek e cila nuk kishte asnjë shans. Megjithatë, iu afrua, e mori. Nëse Rama do të kishte mundësi, do ta merrte në krah Lungomaren e Vlorës dhe do ta çonte në Shkodër. Do të thoshte: Erdha dhe ua solla.
E shoh Ramën në Shkodër, pasi është një nga qarqet që përcakton ngjyrën e qeverisjes. Tirana, Shkodra, Vlora, Elbasani dhe Durrësi, kushtëzojnë edhe ngjyrën e qeverisjes. Sa kohë që Rama thotë, unë do të hidhem në këtë lumë dhe të gjithë të tjerët do të hidhen pas meje”, tha Vangjeli.