Teuta e sezonit të ri do të vazhdojë rrugën aty ku përfundoi edicioni i fundit. Renato Arapi është konfirmuar në krye të Teutës edhe për sezonin e ri futbollistik. Kjo ka ardhur pas një takimi me presidentin Edmond Hasanbelliu, ku krahas konfirmimit të teknikut edhe për një sezon, janë diskutuar edhe mjaft çështje të tjera që kanë të bëjnë me skuadrën dhe kryesisht merkaton e verës. Një nga pikat e dakordësuara ka qenë edhe ruajtja e grupit aktual. Normalisht që 3-4 lojtarëve u ka përfunduar kontrata, por që pritet konfirmimi i tyre.

LARGIMET – Projekti i Teutës do të vazhdojë dhe do të synohet gjithnjë përmirësim nga sezoni në sezon. Sigurisht që duhet shumë punë dhe përkushtim. Për sa i përket skuadrës së re, siç u shpreh dhe trajneri Arapi, baza e sezonit të ri është, por do të afrohen edhe lojtarë të rinj me kontrata afatgjata. Sigurisht që firo ka pasur dhe mund të ketë, por në Durrës do të mundohen t’i zëvendësojnë me lojtarë të mirë. Shumë emra janë lakuar si largime të mundshme nga radhët e Teutës pas përfundimit të sezonit, por vetëm ato që ka bërë zyrtare klubi janë larguar, pasi po bisedohet për ruajtjen e grupit.

Ergys Peposhi dhe Klejdi Daci, që erdhën të huazuar nga Kukësi në janar, mund të quhen zyrtarisht të larguar nga Teuta. Parimisht të larguar janë edhe Blagoja Todorovski, Sebino Plaku, Albano Aleksi dhe Filip Ivanoviç. Teuta e sezonit të ri zbret në fushë me 4 korrik, datë në të cilën është vendosur edhe për nisjen e përgatitjeve për sezonin e ri, me blutë që do të grumbullohen fillimisht atje për të nisur muajin intensiv të tyre. Në aspektin teknik, blutë duket se janë bërë gati. Edhe Arapi nga ana e vet ka hartuar planin e punës për javët e përgatitjes.

LOJTARËT – Më 4 korrik blutë do të zbresin në fushën e blertë për të nisur përgatitjet dhe deri atëherë ekipi duhet të jetë i kompletuar edhe për sa u përket lojtarëve. Vetë Arapi, por edhe presidenti Hasanbelliu janë duke nxituar për të mbyllur edhe dilemat e merkatos. Në kushte të tilla, pritet që deri me 4 korrik të mbyllen disa afrime që Teuta të kompletohet, por edhe rinovimi i kontratës dhe bisedat me lojtarët që janë pa kontratë. Këto duket se janë çështjet me të cilat durrsakët do të merren këto javë dhe gjithçka të jetë gati.