Durrës, 28 maj 2014 – Mbrojtësi Tefik Osmani kishte oferta të shumta brenda dhe jashtë vendit derisa zyrtarizoi largimin drejt Skënderbeut, ndërsa Batha është transferuar te Partizani. Është larguar pjesa dërmuese e lojtarëve që erdhën si përforcime gjatë merkatos dimërore, ndërsa pritet rikthimi i të huazuarave te skuadrat e tjera si Besa dhe Elbasani.
Në radhët e durrsakëve ka shumë lojtarë që ndodhen në fund të kontratës dhe nuk dihet fati i tyre, nëse do të jenë pjesë e skuadrës së Teutës për sezonin e ardhshëm. Vetëm porta është e blinduar te “djemtë e detit”, pasi dy gardianët, Rizvani dhe Osmani, janë të sigurt që do të jenë pjesë e skuadrës për sezonin 2014-2015.
Me Rizvanin dhe Osmanin, Teuta thuajse e ka të zgjidhur mbrojtjen e katërkëndëshit. Portierët janë me eksperiencë dhe në formë shumë të mirë fizike. Sulmuesi shtatlartë i Teutës, Vedat Muriqi, ka të ngjarë t’i bashkohet sezonin tjetër skuadrës së njohur turke Eskisehirspor.
Duke u referuar burimeve pranë këtij klubi, mediat turke shkruajnë se kosovari pëlqehet shumë nga skuadra, e cila e mbylli kampionatin duke u pozicionuar në vendin e 12-të. Mësohet se sulmuesi gjatë fazës përgatitore që skuadra e Teutës zhvilloi në Turqi në muajin janar, është provuar disa ditë në radhët e të verdhëve.
Me sa duket, gjigandi kosovar ka lënë përshtypje të mira te turqit, të cilët kërkojnë t’ia veshin fanellën e tyre sezonin e ardhshëm Muriqit. Kosovari erdhi një vit më parë në Durrës, ku u aktivizua në disa ndeshje dhe më pas drejtuesit e huazuan te Besa.
Muriqi ka edhe një vit kontratë me skuadrën e Teutës, por në rastin e arritjes së akordit mes drejtuesve, kosovarin mund ta shikojmë sezonin tjetër në Superligën turke dhe me një nga skuadrat më të njohura, e cila dy vite më parë luante në fazën e grupeve për Europa Ligë. Sakaq, pritet një verë me intensitet të lartë pune në kampin durrsak, do të ketë afrime dhe largime.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





