Pas dëbimit të diplomatëve iranianë nga Shqipëria, ka ardhur edhe reagimi zyrtar i Iranit. Zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme, Bahram Qasemi, tha se Shqipëria e ka marrë këtë “masë të padëshiruar” në linjë me skenarin amerikan, izraelit dhe të disa vendeve të tjera për të dëmtuar marrëdhëniet e Iranit me Europën.

Në një prononcim për agjencinë iraniane të lajmeve “IRNA”, Qasemi kujtoi se Irani gjithmonë ka gëzuar “marrëdhënie të përzemërta” me Shqipërinë dhe ka respektuar të gjitha rregullat e këtij vendi evropian, bazuar në principet e politikës së jashtme të Republikës Islamike të Iranit.

Duke marrë parasysh faktet se SHBA ishte shteti i parë që reagoi pas dëbimit dhe komentet e Shqipërisë se kjo masë ishte ndërmarrë në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë të vendeve të tjera, sipas Qasemit provojnë se pas qëndron Uashingtoni dhe Tel Avivi.