Largimi i Helidon Bendos nga pozicioni i drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, ka ndodhur për shkak të studimeve pasuniversitare që ai do ndjekë. Kështu bën të ditur ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, i cili ka ndarë një foto me Bendon nga zyra e tij.
Rama sqaron se Bendo do të ndjekë studimet në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, ndaj dhe ka paraqitur dorëheqjen.
Mirëpo, Bendo do ketë rol aktiv në vendin tonë. Rama shton në fund, se Bendo do të jetë i angazhuar si këshilltar i tij për reformën e institucioneve të sigurisë.
POSTIMI I RAMËS:
Me HELIDON BENDON, Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili për arsye të vazhdimit të studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, ka dorëzuar dorëheqjen. Ai do të angazhohet në vijim si këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë.