Mbledhja e kryesisë së PD Durrës është zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës, ndërkohë që theksi i diskutimeve është përqendruar në vendimmarrjen e liderit Lulzim Basha për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, për të cilën pjesa më e madhe e demokratëve durrsakë kanë pasur shumë rezerva.
Ylli Kasa, kreu i grupseksionit të lagjes nr.4, thotë për “DurrësLajm” se folësit në mënyrë unanime kanë kërkuar që vendimet apo zgjedhjet të realizohen sipas mënyrave demokratike përmes statutit (këshill, referendum apo zgjedhje), nga anëtarësia e kësaj force politike nga qendra në bazë. Duket se vendimmarrja personale e Bashës për largimin e Berishës nuk është pritur mirë nga demokratët durrsakë, të cilët kërkojnë që vendime të këtij lloji të kalojnë përmes procedurave standarte të sanksionuara në statutin e partisë.
“Nuk pati debat por diskutime konstruktive. Të gjithë folësit konvergjuan në të njëjtin mendim: Vendimet të merren sipas statutit dhe me standarte demokratike, ose me këshill ose me referendum, nga qendra në bazë. Partia Demokratike ka djem, vajza, zonja e zotëri që e ndjejnë vërtetë këtë force politike. Gjë të cilin nuk e shohim tek lidershipi apo ndonjë në qytetin tim që ta ndjej me vendimet, veprimet apo me mosveprimet e tyre gjatë kësaj periudhe 8 vjeçare”, thotë Kasa.
Në të njëjtën kohë, kreu i demokratëve të lagjes nr.4 thekson se “z.Basha kishte 8 vite kohe të mendonte e të vendoste mbi çështje madhore e të përcillte modelin e tij ne bazë”.
Largimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar ka ndezur një debat të fortë mes demokratëve, ndërkohë që ish-lideri historik i tyre ka paralajmëruar nisjen e takimeve me bazën e partisë.
Në mbledhje e kryesisë së Durrësit kanë qenë të pranishëm kryetari Ferdinand Xhaferaj dhe 4 nga nënkryetarët e degës, si dhe rreth 80% e anëtarëve të kryesisë së degës lokale.