Që nga mbrëmja e së enjtes, kur kreu i PD, Lulzim Basha, lexoi vendimin e tij personal për largimin e ish-liderit historik Sali Berisha nga grupi parlamentar, partia më e madhe opozitare po kalon orë të ethshme. Që nga mbrëmja e djeshme, pas leximit të vendimit nga Basha, figura të njohura të PD-së kanë nisur të pozicionohen krahas liderit historic dhe njeriut që në 30 vite e fundit ka dominuar politikën shqiptare, qoftë kur ka qenë në pushtet, qoftë kur ka qenë në opozitë.
“DurrësLajm” kontaktoi me nënkryetarin e degës së PD Durrës, Dritan Burgija për të mësuar qëndrimin e tij mbi vendimmarrjen e Bashës. Burgija shprehet se në momente të vështira, vendimet nuk duhet t’i marrë një njeri i vetëm, pasi “PD është institucion dhe jo karrike personale e një njeriu të vetëm“.
Sipas Burgisë, drejtimi i PD-së nga ana e Bashës, e ka çuar partinë drejt tkurrjes dhe jo hapjes.
“Basha pas humbjes se fundit duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Po sigurisht kjo nuk është në kulturën “europiane” të kryetarit”– thotë ai.
Prononcimi i plotë i Dritan Burgisë dhënë për “DurrësLajm”:
Unë mendoj se PD ka lindur si lëvizje e njerëzve idealistë, të frymëzuar nga liria e individit, e mendimit dhe fjalës së lirë. Kurrsesi vendimmarrje të tilla në momente të vështira nuk i takojnë një personi të vetëm, por atyre që kanë një jetë që kontribuojnë në PD dhe janë pjesë e një historie të përbashkët me Doktorin. PD është institucion dhe jo karrike personale e një njeriu të vetëm.
Kjo mënyrë drejtimi e Bashës e ka çuar PD-në në tkurrje, e shumë herë në aksione që janë lënë në gjysëm…. Kjo qoftë për mungesë vizioni, apo dhe më keq, oportunizëm.
Basha pas humbjes se fundit duhet te kishte dhene doreheqjen. Po sigurisht kjo nuk eshte ne kulturen “europiane” te kryetarit.