TIRANE, 3 prill 2013 – Largimi i LSI-së nga koalicioni qeveritar pritet të shoqërohet veç ndryshimeve në qeveri edhe me ndryshime në administratën e bashkive dhe komunave në rang vendi.

I pyetur lidhur me vijimësinë e punës në Bashkinë e kryeqytetit pas largimit të aleates politike, kryebashkiaku Lulzim Basha nënvizoi se pushteti lokal do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e tij në dobi të interesave të qytetarëve të Tiranës.

"Bashkia do të vazhdojë të kryejë detyrat e veta në raport me nevojat, projektet, aspiratat e qytetarëve të Tiranës. E ka bërë këtë pa dallim bindjesh politike, as nga ana e administratës, as nga ana e qytetarëve. Do të vazhdojë ta bëjë këtë. Vendimet politike u takojnë forumeve politike të partive politike", u shpreh Basha.