Nga BUJAR QESJA
Ndonëse kanë kaluar pak ditë, nga largimi i papritur nga jeta i Aleksandër Koçit, figurë shumë e njohur në Durrës, dhimbja është dukshme e pranishme. Me 15 shtator 2024, kishte mbushr 76 vjeç dhe ishte shumë i gëzuar teksa qendronte në krah të bashkshortes Ana Dovanës, tri fëmijve Andit, Enit dhe Emës, nipërve shumë të dashur Marinit dhe Joelit, motrës Letës dhe vëllait Kostës. Gëzimi u shtri edhe në shoqërinë e vjetër durrsake dhe jo vetëm.
Leksi siç njihet i popullarizuar emri i tij, mbaroi për fizikë në fund të viteve 60-të, me një brezi të artë fizikantësh, ndërmjet tyre fenomenalin Besnik Sykja. Pjesë e trashigimisë qytetare të familjes, Aleksandri, pasi mbaroi me rezultate të shkëlqyera Fakultetin e Shkencave të Natyrës -dega Fizikë, emërohet në disa shkolla në Durrës dhe rrethinat e tij. Kështu nisi mësimdhënien në Maminas, Shijak, gjimnazin “Naim Frashëri”, Shkollën teknologjike, shkollën e mesme të mbrëmjes pa shkëputje nga puna dhe në moshën 75 vjeçare ishte pjesë e shkollës shqiptare greke “Frymë dashurie”.
Veç mësimdhënies në vite të ndryshme, emërohet drejtor i Shtëpisë së Foshnjes (Befotrofi) në Durrës. Më pas bëhet pjesë e Ministrisë së Punës dhe Përkrahjes Sociale, duke drejtuar degën e Durrësit. Në të gjitha angazhimet, Aleksandër Koçi evidentoi vlera të vyera të mësueist të përgatitur , të kuadrit të përkushtuar, intelektualit erudit dhe qytetarit shembull dhe shumë aktiv.
Të përsosura marrdhëniet e tij me grupe shoqërore, me kolegë e nxënës, me qytetarë dhe bashkëpunëtorë, me shokë dhe miq, me të afërm dhe të largët. Gjithnjë i qeshur, me humor fin, me komunikim për ta patur zili.
Asnjëherë nuk e shikoje vetëm. Herët në mëngjes, e niste ditën duke rrufitur kafenë me durrsakë të vjetër, shok që i kishte lidhur jeta dhe puna në Durrës, por edhe marrdhëniet pa interes ndërmjet tyre. Kam patur rast dhe këto jo të rralla, të takohesha me Leks Koçin, duke kaluar minuta të arta, ku transmetoheshin vlerat e veçanta shoqërore dhe qytetare të një intelektuali kalibri, të një miku të veçantë dhe të domosdoshëm.
Mbetej shumë social, i përfshirë në hallet dhe dertet e njerëzve, veçanërisht të atyre që i njihte. Detyra e pedagogut të lëndës së vështirë të fizikës, ia kishte rritur famën, pasi nëpërmjet mësimdhënies, kishin kaluar shumë e shumë breza. Dhe të gjithë ishin në një emërues të përbashkët për Leksin: i ëmbël, i mirë, mrekullia e komunikimit, i respektueshëm dhe shumë i dashur. Zemra e tij ishte e ndjeshme, e prekshme kur njihej me problemet dhe shqetësimet e të njohurve, pse jo edhe të të panjohurve.
Familja që krijoi ky kuadër, ky mësues, ky intelektual, ky njerëzor dhe qytetar i përkushtuar në detyrimet shoqërore, mbetet mjaft e arrirë. Bashkshortja e tij është Ana Dovana, fis autokton durrsakësh dhe shumë progresistë. Ana ka mbaruar studimet për ekonomi financë. Emërimet e kanë vendosur në vite të punojë në Uzinën Mekanike Bujqësore, Posta Shqiptare dhe në sektorin e arsimit në Bashkinë e Durrësit. Edhe Ana, mbetet shembull i përkushtimit në detyrë dhe në shoqëri.
Familja Koçi i gëzohet lindjes së tre fëmijve, të Andit dhe binjakëve vëlla e motër Enit dhe Emës. Fëmijët janë fati i familjes dhe ia shpërblyen kujdesit Anës dhe Leksit. Që të tre mbaruan studimet e lartë në universititen e qytetit italian të Peruxhias. Andi u diplomua për marrdhëniet ndërkombëtare. Eni mbaroi për ekonomi biznes, ndërsa Ema në degën e vështirë dhe shumë të veçantë teknikë publiçitare. Dy djemtë jetojnë dhe punojnë në Peruxhia, duke nderuar jo vetëm familjet e tyre, por edhe Shqipërinë dhe Durrësin e vendlindjes. Ema mbaroi ekselencë në Peruxhia dhe vendosi të jetojë dhe punojë në Tiranë. Aktualisht është Drejtore në Drejtorinë e Transportit Rrugor në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Kapitull i veçantë dhe tërheqës për Aleksandër Koçin mbeten dy nipërit e tij, për të cilët linte kokën. Marini i pari e bëri gjysh dhe mbushi 8 vite jetë. Ndërsa i dyti Joeli, sapo festoi 3 vjetorin. Sa e donin njëri tjetrin dhe rasti fatal është shumë dëshpërues për ta.
Leksi lidhi raporte të fuqishme me Durrësin. Ndonëse familja u çvendos në Tiranë tek Ema, mësuesi i njohur i fizikës, kuadri dhe intelektuali ynë pikant, nuk iu nda Durrësit.
Kalonte ndonjë ditë nga Tirana dhe shpejt kthehej në Durrës, për të prekur ato kafetë e magjishme pranë durrsakëve të tij mahnitës dhe të mrekullueshëm. E shikoja të qendronte me durrsakët Haki Çopani, kirurgun Shaban Dedej dhe deri tek njerëz shumë të thjeshtë. Gëzohej dhe kënaqej, kur qendronte ndërmjet tyre. Dhe së bashku takonim dhe çmalleshim.
Tetori është i mbushur me diell. Pranverë e parakohshme dhe dimri mbetet opsion i largët. Leks Koçi në mëngjeset e zakonshme të mëngjesit. Por në mes të tetorit, të këtij viti 2024, lajmi që erdhi na tromaksi dhe na la pa frymë. Lajm i pabesueshëm dhe kishte nevojë të konfirmohej. Por ishte i vërtetë. Aleksandër Koçi kishte ndalur frymëmarrjen dhe nuk do të ishte më pjesë e komunikmimit tonë. Fatkeqësi e madhe. Fola me të motrën, Letën. Fola edhe me gruan e tij, Anën e ndjeshme, por e mbuluar plotësisht nga trishtimi, nga dhimbja, nga tmerri që kishte përjetuar.
Sipas asaj që na u tha, Leksi Koçi ka kërkuar të bëjë kolonoskopi, për të hequr merakun për problematikat që mendonte se po i krijoheshin. Mjeku që mbulon këtë diagnozë në spitalin e Durrësit, nuk i dha okej. Ia shtynte kolonoskopinë dhe si gjithnjë në kësi rastesh, mjaftohet me reagimin rutinë: Nuk ka gjë.
Dhimbjet po bëheshin më shumë prezente. Shkon në Tiranë në Qendrën Spitalore Universitare. Atje e kalojnë në urgjencën e re, në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Mjeku që e vizitoi, nuk i dha problematikë dhe largohet prej katër orësh.
Siç u gjykua më pas, Aleksandër Koçi ishte në prag të një peritonie akute. Zorra e trashë ishte çarë në disa centimetra dhe vonesa ia kishte rritur gjatësinë e së keqes. Në të tilla kushte, operacioni u bë i domosdoshëm, por me shtim të rriskut. Minutat ishin fatale dhe u përjetuan dhimbshëm dhe me dramë, nga miku dhe shoku ynë.
Dhimbja dhe morti ra si rrufe më parë tek Ana, tek fëmijët, tek të afërmit e tjerë. Dhe më pas edhe tek ne. Marini dhe Joeli diçka kuptonin. Dhimbja i kishte mbuluar edhe ato. Nga ajo ditë, lotët e tyre janë si burim i dhimbshëm, që shprehin trishtim për gjyshin e tyre, që i kishte pjesë të zemrës së tij, të shpirtit të tij, të dashurisë së tij të jashtëzakonshme.
Aleksandër Koçi nuk jeton. Nuk do ta shikojmë më. Nuk do të flasim më me të. Nuk do të na pyesë dhe nuk do ta pyesim. Kafetë e mëngjesit, kështu do të mungojnë. Por jemi në moralin tonë, në detyrën tonë humane dhe njerëzore, të gjykojmë dhe mendojmë, se Leksi ynë i mirë dhe aq i dashur, jeton në kujtesën tonë, në memorien tonë, në rrugët e Durrësit dhe mjediset ku takoheshim.
Leksi i miri dhe i shtrenjti ynë, pranë tërë kohën me ne. Është detyrë kjo dhe të japim fjalën se do ta mbajmë.
Dheu i Durrësit, do të të mbajë gjithnjë të paprekur në të paqmen tënde. Qofsh gjithnjë ashtu siç ishe, tashmë në parajsën e përjetshme!
Bujar Qesja
Durrës: 25 tetor 2024