Granit Xhaka ka pësuar një kthesë të çuditshme në karrierën e tij dhe tashmë e sheh veten më në vështirësi se kurrë. Pak ditë më parë, ai reagoi në mënyrë të turpshme në momentin e zëvendësimit duke hedhur në tokë fanellën dhe duke ofenduar tifozerinë e Arsenalit.
Pak ditë më vonë kërkoi falje dhe u duk se gjithçka po normalizohej por në fakt jo. Klubi e ka lënë sërish jashtë për ndeshjen e Ligës së Europës dhe tashmë i është hequr zyrtarisht edhe shiriti i kapitenit.
Diçka të tillë e ka konfirmuar trajneri Unai Emeri në një konferencë për shtyp ku u shpreh se ka disa liderë në skuadër dhe se kapiteni i ri do të jetë Obamejang. Ndërkohë, mediat në Angli raportojnë se me shumë gjasa, ai do të largohet në merkaton e janarit sepse nuk mund të vazhdohet më në këtë situatë.
“Kisha një takim me Xhakën dhe i thashë që nuk do të jetë më kapiteni i skuadrës. E pranoi vendimin tim. Duhej vendosur diçka dhe mora këtë vendim kështu që gjithçka është mbyllur tashmë. Kam kapitenë si Obamejang, Lakazet e Ozil por kapiteni i parë do të jetë Obamejang”, u shpreh Emeri në konferencë për shtyp.





