Për sezonin turistik ende nuk ka një datë, por bregdeti i plazhit të Durrësit është pastruar në pjesën më të madhe të tij nga grumbujt me leshterikë, që dimri solli në breg.

Periudha e izolimit të qytetarëve për shkak të pandemisë Covid-19, ka ndihmuar Ndërrmarrjen Komunale të Plazhit të pastrojë përgjatë muajit prill tonelata me leshterikë.

Por krahas pastrimit të vijës bregdetare, një vëmendje e shtuar i është kushtuar largimit të inerteve nga pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Për vetë faktin se zona e plazhit ishte ndër lagjet me dëmet më të mëdha në muraturën e pallateve, volumi i inerteve ka qenë i madh.

Drejtori i Komunales së Plazhit, Alfred Dhuli thekson se puna vijon në terren, pasi rikthimi i qytetarëve në banesat e tyre të dyta dhe riparimi i apartamenteve apo banesave, ka bërë që thuajse çdo ditë të krijohen pirgje të reja me inerte.

“Ne kemi mbi një muaj që po merremi me heqjen e inerteve, pothuajse jemi në fund të largimit të tyre. Po ashtu jemi në përfundim të largimit të leshterikut. Besoj se nga data 15 maj ne jemi gati për të filluar sezonin. Do fillojmë edhe me dezinfektimin, por po presim kohën që nuk do të ketë më shira, që të ketë më shumë efektivitet. Do përdorim deksametazon dhe klor për dezinfektimin. Këtë vit jemi shumë më përpara viteve të tjera”,- tha Dhuli për DurrësLajm.

Ndërkohë dezinfektimi dhe plugimi i rërës pritet të bëhet në fund të muajit maj, në varësi edhe të kushteve atmosferike.

Drejtori i Komunales së Plazhit thekson se gjithë vëmendja e institucionit të drejtuar prej tij është e fokusuar tek sezoni turistik, për të bërë gati vijën bregdetare për pritjen e pushuesve të parë, në momentin kur qeveria do të lejojë frekuentimin e plazheve, por duke respektuar masat mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19. Mungesa e trafikut në zonën e plazhit, për shkak të lëvizjes së kufizuar të automjeteve i ka ardhur në ndihmë kësaj ndërrmarrjeje për ta kryer me lehtësi procesin e punës në terren dhe transportimin e inerteve e leshterikëve.

Pushteti vendor dhe operatorët turistikë janë në pritje të planit të masave që do të prezantojë dikasteri i drejtuar nga Blendi Klosi për zhvillimin e sezonit turistik në kohën e koronavirusit.

M.B.