Prej një jave, ndërrmarrja komunale e plazhit në Durrës është në një betejë të përditshme me leshterikun, i cili ka dalë me tonelata në plazhin më të madh të vendit.

Deti i trazuar dhe me dallgë, ka nxjerrë këto ditë në vijën bregdetare të Durrësit sasi shumë të mëdha leshteriku.

Alfred Dhuli, drejtori i kësaj ndërrmarrjeje, në një prononcim për DurrësLajm tha se për pastrimin e plazhit ka dhënë një ndihmë të rëndësishme edhe komuniteti i biznesit, i cili ka lënë në dispozicion të punonjësve të ndërmarrjes komunale mjete të ndryshme transporti si kamiona dhe fadroma, për largimin e leshterikut nga brezi i rërës.

Dhuli nënvizoi se në funksion të pastrimit të plazhit, bashkia do të ketë 30 punëtorë të përditshëm, të cilët do të jenë në terren me tre turne.

Menjëherë pas përfundimit të pastrimit, pritet plugimi e dezinfektimi i rërës për të siguruar kushte optimale për banjo dielli në vijën bregdetare të Durrësit.

K.H.