Largohet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Gjet Ndoj, ndërsa vendin e tij do ta zëvendësojë një përfaqësues i PDIU-së.
Burimet nga kryeministria bëjnë të ditur se në krye të arkivave është emëruar Ardit Bido, anëtari i kryesisë së PDIU-së, partia e tretë në koalicion me maxhorancën.
Gjet Ndoji e dorëzon detyrën pas 3 vitesh, ndërsa shprehet se gjatë kësaj kohe ka punuar për të ndërtuar një sistem efikas. “Pas tre vitesh dorëzoj detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave. Sot që largohem po lë një institucion me një gjendje më të mirë në vendruajtjet”, shprehet Ndoji.
Kush është Ardit Bido
Ardit Bido ka mbrojtur gradën «Doktor i Shkencave» në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës, lëmë në të cilën ka kryer edhe studimet Master. Ciklin e parë të shkollës së lartë e ka përfunduar për Gazetari në të njëjtin universitet. Punimet akademike përfshijnë studime të botuara në revista shkencore brenda e jashtë vendit, kumtesa të referuara në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, si edhe dy monografi: “Kisha Ortodokse Shqiptare: një histori politike (1878-1937)” dhe “Koncesioni editorial i medias shqiptare”.
Ardit Bido ka një përvojë disavjeçare në shtypin e shkruar dhe mediat audiovizive. Prej vitit 2012, është pedagog pranë Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës dhe pranë një universiteti privat. Ai ka pasur angazhime publike dhe komunitare, përfshi drejtimin e disa organizatave rinore, pjesëmarrjen në borde drejtuese universitare e kërkimore dhe zgjedhjen si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Njësisë nr. 9 në Tiranë.





