Largohet nga detyra drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Enton Duro, vetëm tre muaj pasi ishte caktuar në këtë post.

Mësohet se largimi nga detyra erdhi për shkak të përformancës së dobët në mbledhjen e të ardhurave.

Duro zëvendësoi në këtë detyrë Vasilika Vjeron, e cila u largua nga ky post pas tre vitesh për arsye personale.

Performanca e tatimeve ka qenë e dobët këtë vit, duke reflektuar ngadalësimin e rritjes ekonomike nga 4% vitin e kaluar në vetëm 2.1% në tremujorin e parë të këtij viti, mbylljen e aktivitetit të lojërave të fatit si dhe faktin që projektet e mëdha si gazsjellësi TAP dhe HEC i Devollit janë drejt fundit, duke ndikuar dhe në aktivitetin e kompanive që kanë qenë të lidhura me to.

Në pesë muajt e parë të vitit, të ardhurat nga tatimet ishin 61.9 miliardë lekë, me një rritje prej 5.8%, duke rezultuar 1.3% ose rreth 800 milionë lekë më pak se plani. Zëri me ecurinë më negative është ai i TVSH-së, me një rënie prej 12% në raport me janar-maj të një viti më parë, që është kompensuar me rritjen e të ardhurave nga tatim fitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale.