Zërat që dolën pak kohë më parë mbi largimin nga puna të drejtorit të përgjithshëm të Top Channel, duket se janë vërtetuar. Bashkëpunëtori më i afërt i Dritan Hoxhës, krijuesit të Top Media, Enkelejdi Joti, thuhet se ka mbyllur marrëdhënien e tij me institucionin që drejtoi prej themelimit, në vitin 2001.

Burime të lapsi.al brenda televizionit më të madh në vend bëjnë me dije se vendimi për largimin e drejtorit kryesor nga puna, ka marrë konsensusin e bordit drejtues të Top Media. Jo vetëm Vjollca Hoxha, por edhe dy aksionerët e tjerë të Top Channel, kanë rënë dakord për zëvendësimin e Enkelejdi Jotit.

Largimi i drejtorit të përgjithshëm të Top Channel thuhet se është në valën e ndryshimeve rrënjësore, në të cilat me sa duket, është përfshirë jo vetëm ekrani i televizionit, por edhe administrata e tij. Pas mbylljes së disa emisioneve (Shqip, Pop Channel, Top Fest), ndryshimet kanë prekur kupolën drejtuese. Kujtojmë se pak muaj më parë një tjetër drejtor i rëndësishëm u largua nga posti. Skerdi Drenova, koka e prodhimeve të spektakleve më të mëdha, la detyrën. Ndërsa tashmë, krahu i djathtë i Dritan Hoxhës, kryesor që prej krijimit të Top Albania Radios në '98-ën, nuk është më në krye të Top Channel. Pavarësisht kësaj, stafi i televizionit nuk ka preferuar ta bëjë publik lajmin, duke rezervuar një moment tjetër, pas Vitit të Ri. /lapsi/