Endri Reçi largohet nga Teuta. Mbrojtësi ishte një afrimet e bluve gjatë merkatos së verës dhe shihej si një goditje e rëndësishme për fazën e mbrojtjes. Megjithatë, 21-vjeçari nuk luajti në dy ndeshjet e para me skuadrën dhe ka zgjidhur kontratën me klubin e tashmë është lojtar i lirë. Largimi i Reçit nuk do të mbetet pa u zëvendësuar, pasi mësohet se durrsakët janë pranë transferimit të një tjetër mbrojtësi, që do të plotësojë organikën e trajnerit Martini. Reparti difensiv është parë në vështirësi në këto javë të para dhe pritet të ketë lëvizje konkrete në këto ditë në vijim.
Ashtu si shumë kampionate në botë, edhe Kategoria Superiore është ndërprerë për t’ua lënë vend angazhimeve të skuadrave përfaqësuese. Pikërisht për shkak të kësaj ndërprerjeje, në klubin e Teutës kanë menduar që ekipi të qëndrojë një ditë pushim. Blutë kanë zbritur dje në fushë për të vijuar përgatitjet për ndeshjen kundër Skënderbeut për llogari të javës së 4-t. Kjo pauzë e kampionatit mund të jetë si një mundësi që skuadra e Martinit të rigjejë vetveten pas dy humbjeve radhazi.
Me një seancë të zhvilluar pasdite kanë nisur zyrtarisht përgatitjet anti-Skënderbu. Mesditën e djeshme skuadra e ka zhvilluar një seancë të rregullt stërvitore. Stërvitja e djeshme e cila u zhvillua në kushte mjaft të mira, zgjati rreth një orë e gjysmë. Trajneri i Teutës, Edi Martini, punoi me ritëm të lartë, me synim të përgatitjes sa më të mirë të futbollistëve të tij. Fillimisht skuadra ka zhvilluar ushtrime të ndryshme me përgatitësit atletik dhe më pas gjithçka është zhvendosur në punën me top.
Teuta ka kalendar të vështirë në katër javët e radhës në Superiore. Nga këto katër takime deri në datën 27 shtator, dy prej tyre i luan në shtëpi. Teuta e nis në Korçë kundër Skënderbeut, më pas Teuta pret Dinamon dhe Vllazninë, ku do të kërkojë fitoren e më pas Teuta luan përsëri në transfertë, ku përballë do të këtë Laçin. Këto katër ndeshje pritet të tregojnë shumë rreth forcës së durrsakëve.