Qytetarë të Durrësit, anëtarë të shoqërisë civile, por edhe përfaqësues të degës së PD Durrës dhe Forumit Rinor janë mbledhur pasditen e sotme para bashkisë për të protestuar ndaj situatës së rëndë ambientale të krijuar në qytet për shkak të mos tërheqjes së plehrave për ditë me radhë.

“Për një qytet të pastër dhe pa plehra”, “Largoni mbeturinat, mbroni jetën”, “Jo plehra në qytet” etj ishin disa nga thirrjet e të rinjve dhe qytetarëve durrsakë gjatë protestës.  

Krahas protestës para bashkisë, pjesëmarrësit marshuan përgjatë Rrugës Tregtare për të sensibilizuar qytetarët për të kërkuar pranë autoriteteve vendore më tepër përgjegjshmëri për pastrimin e qytetit, sidomos në këtë periudhë që përkon me sezonin turistik në Durrës.

Protesta e sotme u thirr përmes rrjeteve sociale, ndërkohë që situata mjedisore në qytetin bregdetar dy ditët e fundit paraqitet më e përmirësuar, pasi mbetjet tashmë kanë nisur të depozitohen në landfillin e Sharrës.

Ministria e Financave i ktheu të hënën përgjigje pozitive institucionit të qeverisjes vendore dhe shprehu gatishmërinë për avancimin e transfertës së pakushtëzuar të shpërndarë për bashkinë Durrës sipas tremujorëve për vitin 2020, me qëllim zgjidhjen e emergjencës imediate të krijuar me trajtimin e mbetjeve urbane.