Austri, 21 korrik 2014 – Legjenda e Formulës 1, Niki Lauda ka hequr dorashkat, teksa ka shpërthyer në një sulm të pazakontë kundër dy prej skuadrave me të cilat ka garuar në të shkuarën. Tre herë kampioni aktualisht mban një ndër postet drejtuese te Mercedes, i cili po dominon garë pas gare me Rosberg dhe Hamilton në bord.

“McLaren përdor të njëjtin motor ashtu si ne dhe ka një makinë që mund të konsiderohet jashtëqitje. Ku ndodhen ata sot? Asgjëkundi apo jo? E njëjta gjë vlen edhe për Ferrarin”.

Në vijim austriaku legjendar i Formulës 1 u pyet se çfarë mendon për rregulloren dhe si mund të ndihet Alonso te një Ferrari impotent.

“Rregullat janë shkruar mjaft qartë dhe nuk është faji i askujt që të tjerët janë torollakë. Për Alonson jam i bindur se ndihet i irrituar dhe i trishtuar, por mbase paratë e ndihmojë sado pak. Te McLaren nuk mund të shkojë, sepse ka një kontratë. Ndodh që të zgjedhësh një skuadër dhe të gabosh. Nëse e mbani mend, kështu ka ndodhur me Ronnie Peterson. Ai ishte më i miri, por gjithmonë ndodhej në vendin e gabuar”.

Bosi i Ferrarit, Marco Mattiacci u pyet për fjalët e Niki Laudas, por tentoi ta shuajë zjarrin e ndezur nga austriaku. Sipas drejtuesit italian të kokëkuqes, fjalët e ish-pilotit të Ferrarit mund të jenë keqkuptuar, ndërkohë që theksoi se mbetet një ikonë dhe një nga njerëzit më inteligjentë të motorsportit.