DURRËS, 6 tetor 2014 – Laura Vorpsi ka dhënë një intervistë pas largimit të saj si zëdhënëse e Partisë Demokratike.
Ajo ka pranuar se sa kohë ishte zëdhënëse e PD-së, thjesht lexonte deklaratat, për të cilat nuk mban përgjegjësi.
Kjo, pasi ato shkruheshin nga dikush tjetër.
“Unë besoj te Partia Demokratike dhe tek qëndrimet e saj, kështu që nuk kam hezituar asnjëherë në daljet e mia publike, por e rëndësishme është të kuptohet qartë se zëdhënësja është thjesht përcjellëse e deklaratave politike dhe jo hartuese e qëndrimeve politike të PD-së.
Ky keqkuptim i vazhdueshëm, me ose pa dashje, ka sjellë në disa raste edhe reagime jo fort të pëlqyeshme ndaj personit tim, por pavarësisht ndonjë momenti të tillë, nuk mbaj mend në asnjë rast të jem tërhequr, të jem shprehur apo të kem menduar se “politika nuk bën për mua”, madje jam e mendimit se politika sot kërkon më shumë se kurrë të rinj me dëshirën për të ecur përpara me reforma dhe ndryshime, në emër dhe për të mirën ë qytetarëve të këtij vendi”, ka thënë ajo për “Panorama”.
Ndërkohë, Laura thotë se puna me Berishën dhe Bashën ka qenë një shkollë politike për të.
“Kam pasur privilegjin të jem zëdhënëse e PD-së duke punuar intensivisht si me liderin historik të Partisë Demokratike z. Sali Berisha, ashtu edhe me kryetarin e saj z.LulzimBasha.
Bashkëpunimi i përditshëm me ta ka qenë shkollë e mirëfilltë politike, dhe nuk mund të them gjë tjetër veçse është kënaqësi e veçantë të jesh pjesë e grupit të punës së tyre”, shprehet ajo.
/marrë nga gazeta “Dita”/





