Laura Pausini ka vendosur t’i largohet rrjeteve sociale, të paktën për një kohë. Këngëtarja italiane, një nga zërat më të dashur në skenën ndërkombëtare, ka treguar se ekranet po i hanin kohë, qetësi dhe përqendrim te gjërat që kanë vërtet rëndësi: vetja dhe njerëzit pranë saj.
Lajmin e dha vetë në një Story në Instagram, duke e quajtur këtë hap një lloj “premtimi” personal:
“Kam vendosur të bëj një detoks digjital. T’i heq nga telefoni të gjitha rrjetet sociale.”
Një “digital detox” në kuptimin e plotë të fjalës. Llogaritë e saj në rrjetet sociale mbeten aktive, por Laura ka zgjedhur të mos jetë më e pranishme si më parë në planin personal. Postimet e punës do të vijojnë koncerte, albume, lajme profesionale por pjesa “private” do të zhvendoset larg ekranit.
Vendimi erdhi në të njëjtën periudhë me publikimin e këngës “Ritorno ad Amare” të Biagio Antonacci-t, një këngë që Pausini e ka shumë për zemër dhe që do të jetë pjesë e albumit të saj Io canto 2, por edhe single më vete. Pikërisht kjo këngë u bë shkëndija për një ndryshim konkret në jetën e saj.
Për Laurën, kthimi te përditshmëria pa notifikime të pafundme është një mënyrë për të rikthyer vëmendjen te ajo që është reale: familja, miqtë, puna, muzika, jeta jashtë ekranit.





