DURRES, 17 prill 2013 – Një monolog nga vetë nëna, të mbushur me kujtimet e saj për të birin që kur ishte i vogël, në adoleshencë e deri sa ai arrin të marrë vetë frerët e jetës është kjo çka sjell për lexuesit libri më i fundit i autores Laureta Tragaj.
Në ceremoninë e përurimit të romanit “Ankth Nëne", në odeonin “Nikolin Xhoja” të pranishëm ishin miq të autores, kolegë e shkrimtarë të njohur të qytetit bregdetar. Krijues të ndryshëm vlerësuan këtë botim në rreshtat e të cilit sipas tyre, gjen pasqyrim dashuria dhe ankthi i nënës për djalin e saj.
Përmes këtij libri Tragaj lartëson figurën e nënës, dashurinë, përkushtimin maksimal dhe vëmendjen që ajo i dedikon çdo aspekti të rritjes së krijesës së saj thanë gjatë mbrëmjes letrare të pranishmit.
Me anë të këtij romani autorja ka dashur të tregojë për të gjithë lexuesit dashurinë e një nënës për krijesën, birin e saj, si një lëndinë të pafundme dashurie femërore mbushur me figura të jashtëzakonshme që flasin sikur janë stinët e kësaj hapësire natyrore, që jetojnë natyrshëm mbi shpirtin e një gruaje që dashuron krijesën e saj.
Teksa falenderoi të pranishmit, duke pohuar se “prania juaj në sallë dhe vlerësimi janë një katalizator nxitës për krijimtarinë time të mëtejshme”, Tragaj nënvizoi se nëpërmjet këtij romani synon të krijojë një lidhje të ngushtë me lexuesin duke krijuar një urë komunikimi që e vendos këtë të fundit në pozocionin e një fëmijëve, prindi apo vëllai.
Për nga struktura ky roman është ndërtuar në formën e një monologu ku është nëna ajo që rrëfen, flet dhe përshkruan ndjenjat dhe përjetimet e saj.
Ajo sjell faqe pas faqeje kujtimet e saj me të birin, që kur ai ishte i vogël e deri sa ai rritet dhe bëhet gati të dalë në jetë. Sipas të pranishmëve që morën fjalën çdokush mund ta gjejë veten në libër.
Përgjatë ceremonisë së promovimit të librit, të pranishmit nuk harruan të vlerësojnë çiftin Ardian dhe Laureta Tragaj për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë dhe artit, ndërsa botimin e fundit, i cili i vjen pas librit, “Dëgjo ritmin e zemres”, e konsideruan si mjaft të rëndësishëm për të ngritur lart figurën e nënës.
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





