Shqipëria përkujton sot 79-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një ceremoni përkujtimore për të rënët në luftë u mbajt paraditen e sotme në Durrës, në Mauzoleumin e Dëshmorëve, ku kryebashkiakja Emiriana Sako, prefekti Emiljan Jani, deputetë, zyrtarë të lartë të pushtetit vendor e veteranë bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule.

Të gjithë të pranishmit parakaluan përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit, duke u përkulur para atyre që dhanë jetën për liri.

79 vite pas përfundimit të luftës dhe 33 vite nga rënia e regjimit komunist, nuk mungojnë ende nostalgjikët e diktatorit Enver Hoxha.

“Lavdi dëshmorëve të atdheut, lavdi Enver Hoxhës!”,- brohoriti njëri prej të pranishmëve, ndërsa kryetarja e bashkisë po bëhej gati të thoshte fjalët e rastit, në nder të kësaj date të shënuar historike.

Durrësi është në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore sepse ishte pikërisht qyteti bregdetar ku më 7 prill 1939 u dëgjuan krismat e para antifashiste në Evropë.

Pikërisht në këtë datë ranë dëshmorët e parë siç ishte heroi i popullit Mujo Ulqinaku dhe bashkëluftëtarë të tij, të flijuar në mbrojtje të trojeve tona.

M.B.