Gjirokastër, 30 qershor 2014 – Në aksionin e fundjavës, nga kontrollet e ushtruara nëpër banesat e Lazaratit janë gjetur rreth 2 tonë drogë, 1.3 tonë farë kanabisi, si dhe një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh. Burimet zyrtare policore bëjnë të ditur se përgjatë 24 orëve të fundit, në Lazarat janë arrestuar 5 shtetas, prej të cilëve 3 gra, të gjithë nga Lazarati, pasi rezultonin të ishin në listën e të kërkuarve nga Policia e Shtetit dhe drejtësia shqiptare, si të dënuar në mungesë për kultivim të bimëve narkotike. Sipas Policisë, kontrollet janë ushtruar në territoret publike dhe ne 30 banesa te Lazaratit.

Gjatë orëve të mbrëmjes të së dielës, uniformat blu kanë arrestuar në flagrancë Ismail Bucin, 61 vjeç nga Lazarati pasi nga kontrolli i ushtuar në papafingon e banesës së tij u gjetën 7 thasë me marijuanë me peshë 82 kg. Veç këtij arrestimi, dje u kapën edhe katër persona të shpallur në kërkim, të dënuar më parë me vendim gjykate për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike. N.T. 32 vjeçe, e dënuar në vitin 2009 me dy vite burg, P.B 45 vjeçe e dënuar me dy vite burg në vitin 2007, T.GJ. e dënuar me 2 vjet burg në vitin 2009, të tria nga Lazarati, si dhe I.S., i dënuar 3 vite e 6 muaj burg në vitin 2009 janë personat e arrestuar.

Prej nisjes së operacionit policor dy javë më parë në Lazarat e deri ditën e diel janë arrestuar dhe ndaluar 45 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për prodhim e shitje të narkotikëve, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone dhe armëmbajtje pa leje. Po ashtu është proceduar penalisht dhe kreu i komunës Lazarat, Dasho Aliko.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/