Gjirokastër, 21 qershor 2014 – Mijëra kilogram kanabis e heroinë, qindra armë, një sasi e konsiderueshme municionesh, dokumente identifikimi të ndryshme, mes të cilave edhe një shtetësie serbe dhe 18 të arrestuar. Ky është bilanci i deritanishëm i operacionit policor të nisur që të hënën në fshatin Lazarat. 

Policia e Shtetit bën të ditur se deri më tani janë asgjësuar rreth 107 mijë e 400 rrënjë bimë narkotike dhe fidanë, si dhe një sasie mbi 34 ton kanabis sativa e thatë. Gjithashtu gjatë orëve të mesditës në një ambient në qendër të fshatit Lazarat janë gjetur dhe 8 pako heroinë, për të cilën është duke u punuar nga policia për të identifikuar pronarin e saj. 

Gjatë kontrolleve të ushtruara mesditën e së shtunës janë gjetur dhe uniforma policie, një snajper, dokumente të shumta identiteti, mes tyre dhe një kartë identiteti e një shtetasi serb, për të cilat ka nisur menjëherë verifikimi. Po ashtu janë sekuestruar dhe 5 laboratorë nga të cilët 3 përpunimi të bimëve narkotike dhe 2 për përpunimin e vajit të hashashit.

Veç kanabisit, një arsenal i tërë armatimesh sekuestruar. Më konkretisht 42 armë zjarri automatike e pushkë, 4 pistoleta, 3 mitrolozë, 1 anti-tank, 1 murtajë dhe 1 granat-hedhës, 2 armë të vjetra si dhe 1 armë gjahu. Po ashtu janë sekuestruar 37.084 fishekë të llojeve të ndryshme, si dhe 9 arka me fishekë, 3 kaseta me fishekë, 7 kallëpe tritol, 2 pako kapsolla detonatore, 16 granata dhe 4 kuti predha granat-hedhësi. Nga ana e forcave speciale janë gjetur e sekuestruar 5 automjete me armatim e municion, si dhe 10 automjete bosh.  

Deri me tani, efektivët e policisë kanë ushtruar kontroll në territoret e mbi 250 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat.
Operacioni i kontrollit në banesa do të vazhdojë përgjatë fundjavës, ndërsa në fshat ka nisur të kthehet normaliteti. Policia po dokumenton, vec provave hetimore,  edhe identitetin e personave që kanë qenë pjesë jo vetëm e kultivimit, por edhe e rrjetit të shpërndarjes së lëndës narkotike, pasi pjesa më e madhe e burrave të fshatit janë larguar nga shtëpitë gjatë kohës që policia po avanconte në fshat. 

Sipas zv.Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Altin Qato, të paktën 30 persona janë shpallur në kërkim si pjesë e grupit që qëlloi me armë kundër policisë mes të cilëve kishte edhe persona që nuk ishin banorë të Lazaratit, të cilet mund të kenë qenë të punësuar nga kultivuesit e lëndës narkotike, por edhe kriminelë që kishin gjetur strehim në këtë fshat.
 

Rezultatet e operacionit

107.400 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë
33 ton e 943 kg kanabis sativa
2 laboratorë përpunimi të bimëve narkotike 
2 laboratorë për përpunimin e vajit të hashashit 

42 automatikë e pushkë
4 pistoleta
3 mitrolozë
1 antitank
1 mortajë 
1 granatëhedhës
2 armë të vjetra 
1 armë gjahu

37.084 fishekë të llojeve të ndryshme
9 arka me fishekë 
13 kaseta me fishekë
7 kallëpë tritol
2 pako kapsolla detonatore
16 granata 
4 kuti predha granatëhedhësi