Gjirokastër, 21 qershor 2014 – Një tragjedi e vërtetë njerëzore u konsumua dje në fshatin e Lazaratit, kur një grua 8-muajshe shtatzënë dështoi, duke tronditur familjen në këto momente tensioni për fshatin.

Pak pas mesditës, ulërima fëmijësh dhe të rriturish u dëgjuan nga brenda një prej shtëpive të Lazaratit, pasi gruaja pati hemorragji të menjëhershme dhe kishte nevojë për ndihmë mjekësore, shkruan “Gazeta Shqiptare”.

Në panik njerëzor u ndjenë edhe forcat e policisë, të cilat mbërritën menjëherë në ambientet e shtëpisë, për shkak të mungesës së një mjeku në moment. Mjeku mungonte jo për rastësi: fshati me 7.600 banorë nuk ka një qendër shëndetësore. Familjarët e gruas e nxitën policinë të kërkojnë një ambulancë, por dukej e pamundur që ajo të mbërrinte shpejt në fshat.

Kështu që, ata kërkuan që gruaja të transportohej në spital me mjetet e policisë, por edhe kjo ishte e rrezikshme, sepse hemorragjia mund të jetë vdekjeprurëse dhe udhëtimi mund ta përshpejtojë atë. Megjithatë, të afërmit e gruas e hipën në një “Jeep” të kuq, që shihet në fotografinë që shoqëron shkrimin, dhe e dërguan atë në Gjirokastër.

“U tronditëm shumë, sepse erdhi e papritur. Gruaja ka 13 vjet që kërkon të ngelë shtatzënë dhe kur morëm lajmin tetë muaj më parë ishte si një bekim nga Zoti. Por, ajo u trondit shumë nga të shtënat e lufta që u zhvillua këtu dhe s’mundi të mbërrijë në të nëntin”,psherëtijnë të dëshpëruar të afërmit e gruas. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/