Gjirokastër, 19 qershor 2014 – Kur kanë kaluar vetëm pak minuta nga ndërhyrja në qendër të fshatit, forcat speciale të transportuara me helikopter kanë arritur në vendin ku qëllohej me mitraloz të rëndë, duke marrë kështu një nga bazat e “rebelëve” lazaratas që prej 5 ditësh sulmojnë policinë, për ta ndaluar të përparojë drejt fshatit.

“Vazhdon progresi. Policia tani gjendet ne shtepine prej nga gjuante mitrolozi i rende. #unejammepolicineeshtetit! Bravo cuna bravo!”,- shkruan Ministri I Brendshëm Saimir Tahiri në rrjetin social Facebook.

FNSH ka nisur rreth orës 15.30 operacionin për të depërtuar në brendësi të Lazaratit. Mësohet se ata janë transportuar me helikopterë dhe ndodhen rreth 200 metra larg xhamisë së Lazaratit.

Helikopterët janë përdorur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë vetëm për transportim. Kjo u saktësua në orët e fundit, pasi më herët u fol se do kishte edhe ndërhyrje nga ajri. 

Vetë banorët po djegin hashashin e mbetur në fshat, ndërsa për momentin nuk raportohet për të shtëna. Forcat e policisë, duket se ia kanë bllokuar të gjitha daljet lazaratësve rebelë. Kështu është bllokuar dalja nga Mali i Sopotit. 

Operacioni i policisë po drejtohet nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/