DURRËS, 25 shtator 2014 – Vjen në Durrës në janar të vitit 1961 dhe deri në vitin 1964 Sadik Bocaj do të gëzonte respektin e popullit të këtij qyteti të lashtë vetëm në sajë të ndershmërisë dhe korrektësisë së tij dhe njohjes si një personalitet që ndiqte rrugën e së vërtetës, si një analist e dashamirës i të gjithëve.
BRUMOSJA
Sadik Bocaj lindi në Lazarat të Gjirokastrës në një familje të njohur atdhetare më në atë fshat, ku patën lindur edhe Muhedin Krishti e Muhamet Gjollesha, dy nga figurat e shquara të LANÇ, sot dëshmorë të Atdheut.
Sadiku, mbeti jetim në moshën katërvjeçare, duke u rritur nën kujdesin e të ëmës.
Në gjirin e shokëve të tij të shkollës dhe në atë të mësuesve revolucionarë, ai mundi të brumoset me idetë përparimtarë të kohës, ndërkohë që lexon literaturë bashkëkohore, antifashiste, sikurse përvetëson mesazhet e idealeve që frymëzonin miliona njerëz në botë, për t’i shpëtuar bishës nazifashiste.
Jeta në vazhdimësi vlerësohet nga qëndrimi burrëror. Sadik Bocaj u fut në sferën e njerëzve të shquar për nga vetë karakteri i tij burrëror e intelektual, e këto virtyte të vyera për të dhe shoqërinë ishin një thesar i vërtetë, por sidoqoftë në botën e tij mbizotëronte mendimi i lirë dhe i shëndoshë.
Në këtë figurë dalin qartë tiparet, shprehjet dhe karakteri i tij i mbushur plot me nuanca njerëzore që njeh dhe sjell ndryshimin thelbësor të shoqërisë si një progresist i vërtetë. Ai ka një unitet mendimi nga ku gjithsecili e dëgjonte me vëmendje dhe shprehte simpati. Është tematik dhe aspiratat e tij janë të dëshirueshme. Ai ka të zhvilluar mendimin estetik nga ku ngre peshë shoqërinë që e rrethon. Tek ai mbizotëron dukshëm thjeshtësia që i vihet përballë dhe e mund falsitetin dhe kështu del fitimtar me një vrull të hekurt triumfon në sajë të forcës së ndërgjegjes së tij të lartë.
VIZIONAR
Sadik Bocaj me një energji shpirtërore të pathyeshme e gjakftohtësi solidarizohet me të vërtetën. Spikat për nga afrimiteti me njerëzit e thjeshtë, të pendës dhe të punës. I ngjeshur në mendime, ekuilibrues, tolerant dhe i vendosur në drejtësinë popullore. Largpamës dhe me një shpirt të dhimbsur ndaj njerëzve të punës dhe armik i betuar ndaj padrejtësive. Me një thellësi pasqyrimi, me një personalitet shoqëror, duke pasur një konceptim hapësinor të dukshëm ia arrin qëllimit dhe kështu paraqet virtuozitetin e tij. I vrullshëm në jetë, i gjallë duke i dhënë vlerë dhe respekt të gjithëve. Një vizionar që modelon dukshëm jetën në shoqëri nëpërmjet punës së ndershme. Mik i ngushtë i të gjithëve, njohës i thellë dhe përkrahës i flaktë i iniciativave eventuale që si qëllim në jetë njiheshin si progresiste.
NË GARDËN E INTELEKTUALËVE MË TË NJOHUR
Fryma përgjithësuese e Sadikut në shoqërinë e kohës e futi atë plot dinjitet duke i dhënë shembullin e tij personal në të mirë të të gjithëve, aftësitë e tij si drejtues, organizues, janë të papërmbajtshme, të suksesshme në vazhdimësi duke e konceptuar e harmonizuar gjithçka në të mirë të të gjithëve. I zjarrtë dhe dinjitoz në jetë, nismëtar i frymës realiste, duke u bërë kështu shembull për të gjithë kuadrot e larta.
Sadik Bocaj punoi në institucione të larta dhe fati i mirë desh dhe punojë në rrethet e Tiranës, Shkodrës e Durrësit, duke lënë vlera të pashlyera.
Vetë ai bën pjesë në gardën e intelektualëve më të njohur dhe në tërësinë e punës së tij shihet nota e një burri të vërtetë shteti. Një prind shembullor që diti të drejtojë dhe të orientojë fëmijë që bën pjesë në grupin e intelektualëve tashmë të njohur.
Një studiues dhe mik i librit, me një bibliotekë të pasur në familje dhe njohës i dy gjuhëve të huaja: rusishten me gramatikë dhe italishten. Ai donte të ishte shok i pandarë i shtypit të përditshëm duke kontribuar me ndjesi rreth ngjarjeve të kohës. Politikan dhe njohës i thellë i situatave që kalonte vendi ynë. Kudo që punoi, ai diti të drejtojë dhe të administrojë me nikoqirllëk çdo gjë që i binte në dorë.
NGA GJIROKASTRA NË SHKODËR
Ka lindur më 28 shkurt 1922 në fshatin Lazarat të Gjirokastrës nga një familje e dëgjuar patriotike ku mbizotëronte ndjenja e atdhedashurisë dhe e prindërve arsimdashës. Shkollën fillore e bëri në fshatin e lindjes dhe atë të mesme në gjimnazin e Gjirokastrës, ku spikat ndër shokë për shkathtësinë e tij për të mësuar gjithçka. Si një nxënës me rezultate të mira dhe premtuese drejtoria e shkollës i krijoi kushte për të ecur përpara. Në 1939 familja e Sadikut bën përpjekje për t’i siguruar një bursë për të vazhduar shkollën e lartë dhe në bazë të arritjeve të tij me rezultate shumë të mira, duke u klasifikuar si një nga nxënësit më premtues, atij i japin një bursë për të vazhduar shkollën normale në qytetin e Shkodrës. I rrethuar nga një grup shokësh me ndjenja përparimtare, duke shkëmbyer mendime rreth situatës së vendit ai shpejt bie në sy dhe bëhet një protagonist i së vërtetës. Me pushtimin e vendit më 7 prill 1939, Sadiku së bashku me shokë të tij që përqafonin ide përparimtare të kohës bashkohet me Emin Durakun, Nazmi Rushitin, Sadik Borovinën që marrin pjesë në demonstratën e 28 nëntorit 1939 dhe, duke qenë në krye të kësaj lëvizjeje, kapet nga karabinieria dhe më vonë lëshohet për mungesë provash.
NGA ELBASANI NË LUFTË
Në 1940 Sadik Bocajn e shohim në “Normalen” e Elbasanit, i cili u shoqërua nga një letër që duhej dorëzuar në shkollën ku do të studionte, gjë e cila më pas u vërtetua se kishin rekomanduar një të ri me ide revolucionare kundër pushtuesit fashist italian. Në prag të luftës italo-greke, në tetor të vitit 1941, mbyllet Normalja e Elbasanit dhe në këto kushte Sadiku mbetet jashtë shkolle së bashku me shokët e tij siç qenë: Fadil Hoxha, Myzafer Trebeshina, Dashnor Mamaqi, Emin Duraku, Qemal Stafa, Vasil Shanto, Qemal Borovina, Hajdar Dushi e Tuk Jakova, të gjithë të rinj tashmë të njohur për idetë e tyre përparimtare dhe të piketuar nga regjimi i asaj kohe.
Në këto kushte Sadiku u detyrua të shkonte te njerëzit e tij në Burrel dhe të mbështetej te Muhamet Gjollesha, i njohur për idetë e tij përparimtare dhe aty ra në kontakt me Rexhep Dodën dhe Beqir Minxhozin, që, së bashku, aktivizuan të rinjtë e asaj krahine.
Në muajin maj të vitit 1943 Sadiku i rrethuar dhe i shoqëruar nga shokë studentë të shkollës, të frymëzuar nga idetë revolucionare me pikëpamje, bashkohet me çetat partizane të zonës Çermës dhe të Dumresë. Ishin vitet e një rinie plot sakrifica që premtonin për nga aftësitë e tyre që Shqipëria do të bëhej.
Më datën 15 gusht 1943 Sadik Bocaj bëhet efektiv i brigadës I S, duke marrë pjesë drejtpërdrejt në luftime, ku spikat për vullnetin, trimërinë, vendosmërinë, për aftësitë e tij organizative dhe drejtuese.
KOMISAR DIVIZIONI
Një i ri me potencial të pashtershëm, në tetor të vitit 1943, Sadik Bocaj bëhet anëtar i PKSH-së dhe në shtator të po këtij viti emërohet zëvendëskomisar i brigadës 22 S me qendër në Pezë.
Kontributi i tij në forcat partizane ishte i madh, i dukshëm aq sa shpesh bëhej shembull dhe përtej kufijve shtetërorë si në Mal të Zi e deri në Vishegrad të Bosnjës. Një ecuri e sigurt drejt një së ardhmeje premtuese e emëron Sadik Bocajn në dhjetor të 1944 shef të seksionit politik të divizionit VIII të UNÇ me qendër në Durrës dhe më vonë komisar të divizionit VIII me qendër në Elbasan. Vërtet, përgjegjësi të mëdha, kudo qëndrueshmëri burrërore, përgjegjësi morale që reflektonin te ky i ri në saje të bindjeve të tij për një Shqipëri të lirë e demokratike.
Në vazhdimësi emërohet shef i personelit në komandën e përgjithshme të UNÇ.
NË MOSKË
Pas çlirimit për aftësitë e tij drejtuese dhe organizuese, për qëndrimin e tij korrekt në detyrë, për besnikëri ndaj atdheut, në muajin maj të vitit 1946 e deri në mars të 1947, caktohet atashe ushtarak me gradën e kolonelit në Moskë.
Do të ishin vitet e suksesit të këtij të riu tashmë me një bagazh dijesh të fituara në jetë. Në prill të vitit 1947 Sadik Bocajn e shohim komisar të shkollës bashkuar të oficerëve në Tiranë, që do të pasohej me detyra të tjera të rëndësishme, falë aftësive të tij drejtuese si komisar i divizionit të mbrojtjes së popullit dhe drejtor i personelit të komandës së përgjithshme.
Si një i ri studioz, i etur për dije, premtues, në muajin mars të vitit 1949 vazhdon studimet e larta në Akademinë Ushtarake “Lenin” në Moskë dhe pas një suksesi të dukshëm si student i kësaj shkolle kthehet në atdhe dhe emërohet drejtor politik i ushtrisë që daton deri në vitin 1952 nga ku del në lirim me gradën e lartë të kolonelit.
NË KQ TË PPSH DHE “ZP”
Jeta ushtarake tashmë e kishte kalitur dhe ai prezantohej në jetën shoqërore civile me një personalitet të dukshëm dhe diapazon dijesh të fituara gjë të cilën e shoqërojnë detyra të reja dhe tepër delikate. Ai caktohet me detyrën organizative drejtuese si drejtor i organizimit në KQ të PPSH, detyrë të cilën e kreu me ndershmëri dhe ndjenja patriotike.
Këto vlera tashmë e bënë të njohur dhe në vitin 1954-1958 emërohet sekretar i parë i komitetit të PPSH të rrethit të Shkodrës, më pas kthehet përsëri në Tiranë dhe caktohet kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”.
NË DURRËS
Vjen në Durrës në janar të vitit 1961 dhe deri në vitin 1964 Sadik Bocaj do të gëzonte respektin e popullit të këtij qyteti të lashtë vetëm në sajë të ndershmërisë dhe korrektësisë së tij dhe njohjes si një personalitet që ndiqte rrugën e së vërtetës, si një analist e dashamirës i të gjithëve.
Në sajë të punës dhe veprës së tij të ndershme, gjatë viteve në këtë qytet ngjallën respekt dhe një popull i tërë ndjehet krenar për një kuadër të tillë drejtues siç qe Sadik Bocaj. Ai la mbresa te cilido, në çdo ambient duke dhënë kontributin e tij që Durrësi të merrte frymë lirisht e të radhitej ndër qytetet më të rëndësishëm të vendit. Sadik Bocaj gjendej në çdo vatër të familjeve durrsake, në gëzime dhe hidhërime të tyre, aq sa u bë i njohur për nga vetë natyra e tij e thjeshtë dhe ndershmëria që ai gëzonte.
SËRISH NË KRYEQYTET
Në 1965-1977 caktohet shef i statutit të partisë të KQ të PPSH-së dhe më pas, në vitin 1982 e shohim drejtues i një nga ndërmarrjet më të mëdha në Tiranë.
I gjithë aktiviteti i tij është i pasur, i larmishëm, me episode mbresëlënëse që ngjallin dhe sot e kësaj dite respekt ndaj këtij burri me vlera.
Ai është zgjedhur deputet i tre legjislaturave dhe ka qenë anëtar i KQ të PPSH-së, i njohur si moderator e demokrat në shpirt.
Të gjitha këto detyra të Sadik Bocajt, gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pas saj na sjellin portretin e një burri me korrektësi e ndershmëri që kurdoherë karakterizohej nga një qartësi politike.
Sadik Bocaj ishte i komunikueshëm me njerëzit, një zemër fisnike, njeri i thjeshtë, largpamës që si moto të punës së tij në jetë pati ndershmërinë qytetare.
Është dekoruar me tetë urdhra e medalje. Ai zë një vend nderi në shoqërinë tonë dhe si një prind i mirë mbetet shëmbëlltyrë e të gjithëve.
Në ora 15,00, më 4 nëntor 2010 ndërroi jetë njeriu me shpirt e mendje të madhe. Ende dhe sot ruhet thjeshtësia dhe vërtetësia e këtij burri me vlera.
Shënim: Vlerësimet prokomuniste të autorit të shkrimit nuk përputhen me politikën editoriale të “Dyrrah”-ut.
* Doktor i shkencave ushtarake





