Tiranë, 25 maj 2014 – Në Lazarat, 67,3 për qind e familjeve ka të paktën një makinë. Ky është rezultati i dalë nga një studimi i ekspertëve evropianë, mbi bazën e Censusit 2011. Përqindja e familjeve lazaratase që kanë të paktën një makinë në oborrin e tyre është shumë mbi mesataren në rang vendi, që është 24,8 për qind. Por jo të gjithë i përdorin makinat për punë, pra një pjesë janë makina luksi.
Kështu, transporti për në punë me makinë dhe me motoçikletë arrin në 47,6 për qind, kur Shqipëria e ka mesataren 24,6 për qind. Duke analizuar shifrat e transportit për në punë, del se me autobus, minibus, tren dhe taksi udhëtojnë 16.25 për qind e popullsisë së komunës.
Por jo i gjithë Lazarati udhëton me makina. Transporti për në punë në këmbë dhe me biçikletë zë 28,83 për qind. Personat që udhëtojnë vajtje-ardhje për motive punësimi janë 324. Ky është numri i personave të punësuar, të cilët punojnë në Shqipëri, në një vend fiks pune larg shtëpisë dhe që udhëtojnë rregullisht nga vendbanimi i tyre i zakonshëm, në një vend tjetër (brenda ose jashtë komunës/bashkisë ku jetojnë).
Vilat e lazaratasve u ndërtuan pas vitit 2001
Lazarati ka ritme të larta të ndërtimit dhe cilësi të lartë banimi në to. Rreth 19% e ndërtesave për qëllime banimi janë ndërtuar prej vitit 2001 e më pas. Kjo mesatare për vendin është 17.7%. Vlera më e lartë e regjistruar për këto objekte është 44.9% në Ksamil dhe më e ulëta është në Çlirim me 0.0%. Më e lartë është shifra e Lazaratit krahasuar me mesataren e Qarkut të Gjirokastrës, ku ndërtesat për qëllime banimi të ndërtuara prej vitit 2001 janë 7.58%.
Ndërkaq, objektet për qëllime banimi të ndërtuara prej vitit 1991 arrin në 45.10%, kur Shqipëria e ka mesataren 38.5%. Në Lazarat, ndërtesat për qëllime banimi të ndërtuara para vitit 1991 janë vetëm 16.30%, një zë ky që flet për objekte tepër të reja në këtë fshat. Një tregues i mirëqenies janë edhe banesat e pazëna, që përfshijnë banesat boshe dhe ato për qëllime dytësore ose sezonale. Banesat e pazëna arrijnë në 28.42%. Kjo vlerë është më e lartë në Golem, ku arrin 88.0%.
/marrë me shkurtime nga gazeta “Shqip”/





