Një nga specialistët e vjetër të kësaj ndërmarrjeje, Laze Prifti, kujton në një intervistë për “Dyrrah” kohët e arta të Plastikës, por dhe vitet kur gjithçka nisi të rrënohej e të braktisej. Bashkëpunimi me specialistët kinezë dhe italianë e fuqizuan ndërmarrjen, por në vitet e demokracisë gjigandi i dikurshëm u shua pak e nga pak, u vodh e u shkatërrua. Sipas tij, interesa të caktuara e dëmtuan përgjithmonë ndërmarrjen, nga e cila, tashmë, ka mbetur vetëm nostalgjia për vitet e lulëzimit të saj.
Makineritë e para kanë qenë prodhime kineze. Së bashku me to kanë ardhur edhe specialistët. Cilat kanë qenë marrëdhëniet e specialistëve shqiptarë me ata kinezë?
Kina në vitet '70 konsiderohej si mike e madhe e shqiptarëve. Kjo miqësi është shprehur edhe në popull, edhe në nivelin e specialistëve. Mbaj mend se fillimisht kanë ardhur 20 inxhinierë, teknologë, mekanikë. Ata kanë qëndruar gjatë në Durrës. Flinin në pallatin që sot njihet si pallati i sportit. Ata e montuan ofiçinën e plastikës, e cila për kohën qe shumë moderne. Komunikonim shumë mirë, ishin specialistë të aftë, punonin me orë të tëra pa ndërprerje. Ata ishin shumë të interesuar që punëtorët shqiptarë dhe specialistët të mësonin zanatin, të merrnin sa më shumë njohuri për makineritë, pajisjet, teknologjinë dhe çdo gjë tjetër. Në këtë kuadër shkuan në Kinë 6-7 specialistë e inxhinierë të zotë nga Plastika e Durrësit. Kështu, më kujtohet se për t’u specializuar në Kinë kanë shkuar Donika Bejgo, axhustatori mjeshtër Zydhi Karapici, Enver Vranja, Vangjo Ilo, Rudmilla Marku. Të tjerët nuk më kujtohen. Specialistët tanë morën përgëzime nga kinezët, pasi mësuan shumë shpejt përdorimin e makinerive dhe treguan vullnet e dëshirë.
Si ka qenë ecuria e proçesit teknologjik në Plastikën e Shkozetit?
Kam punuar shumë vite në administratën e Plastikës. Gjërat ishin të përcaktuara mirë dhe kishte përgjegjësi për çdo veprim. Disiplina bënte që proçesi të ecte në parashikimet e duhura. Ishim diku tek 1250-1300 të punësuar. Ndërmarrja u zgjerua me linja të reja, me makineri të panjohura dhe me teknologji bashkëkohore. Në të tilla kushte lindte nevoja dhe detyrimi për t’i përshtatur të gjitha hallkat e proçesit. Gjërat ishin në vendin e vet. Nuk kishte nevojë t’i thuhej ndokujt “ec e bëj këtë, shko e bëj atë” . Kishte proçese të vështira. Për shembull: presa 1000 gr ishte nga më të vështirat. Prodhohej legeni i madh, arkat e bukës etj. Specialistët dhe punëtorët aty zgjidheshin të ishin të kualifikuar dhe të vëmendshëm. Ndryshe qëndronte puna tek presa 30, 60, 125 gr, se proçesi ishte më i thjeshtë. Na duhej të mësonim herë pas here, pasi vinin makineri të reja, moderne. Pas prishjes me Kinën, nisën të vijnë lëndë e parë, pajisje dhe makineri nga vendet perëndimore si Italia dhe Franca. Puna me tre turne shtonte përgjegjësinë. Rregulli dukej edhe në formë. Sapo futeshe brenda rrethimit tek Plastika të dukej vetja sikur kishe hyrë në farmaci. Higjena ishte në shkallën më të lartë si tek oborri, korridoret, repartet, administrata dhe gjithandej.
I përballonit ju në atë kohë nevojat e industrisë vendëse dhe kërkesat e konsumatorëve?
Kryesisht mallrat vinin nga importi për industrinë, kurse tregu vendës dhe disa linja të industrisë ushqimore, tekstile apo bujqësia kishte kontratë të rregullt me ne. Edhe tregu vendës furnizohej po nga Plastika, e cila ishte më e madhja ndërmarrje në vend. Në atë kohë, pandoflat mikroporoze të Plastikës kërkoheshin jashtë vendit dhe eksportoheshin. Edhe qese plastike, plastmas metrazh të madh për sera apo artikuj të tjerë nxirreshin për tregun e huaj. Fare pak, për të mos thënë asgjë, ka mbetur sot në këtë ndërmarrje si psh linja e reparte. 2-3 të tilla kanë mbijetuar, por jo me atë gamë prodhimi. Në mjediset e Plastikës funksionon reparti i qeseve, tubave dhe reparti i polioretanit. Ky repart erdhi në Durrës në vitet 1985-1986, kishte makineri italiane shumë të mira për shojat e këpucëve.
Plastika si shumë ndërmarrje të tjera nuk mundi të mbijetojë në përballje me ekonominë e tregut?
Mendoj se pati një strategji të keqe për të rrënuar çdo gjë. Sigurisht, trashëgonim një industri e cila nuk mund të krahasohej me ato të vendeve të zhvilluara perëndimore. Por mbyllja, prishja, shpërbërja, privatizimi dhe gjëra të tjera që ndodhën në këto 20 vite nuk kishin të bënin me konkluzionin se ndërmarrjet nuk mbijetonin dot përballë konkurencës. Ato u prishën për llogari të një pakice njerëzish. Në Sukth është hapur një punishte me përmasat 10×10 m, pra një repart i vogël. Është firmë e huaj. Bën pandofla, qese e të tjera. Plastika kishte më shumë se 10 mijë mイ, pra mund t’i bënte vetë këto e të tjerë artikuj. Ndërmarrja u bë copë-copë. Mund të ndryshonte teknologjia, të bliheshin makineri të reja, të lidheshim me firma të huaja. Kishte shumë rrugë e mundësi për të mbijetuar. Por nuk donin.