15 maj 2014 – Lazio bën llogaritë në fund të një sezoni të dështuar për skuadrën bardhekaltër ku më shumë se çdo repart bie në sy agonia e mbrojtjes. Në këtë mënyrë, drejtuesit e shoqërisë planifikojnë rinovimin e repartit të tërhequr ku emrat që do të largohen nuk janë të pakët. I pari me valixhet në dorë është belgu Cavanda, i ndjekur nga Ciani dhe braziliani Dias ndërsa situata duket e paqartë për kapitenin e kombëtares shqiptare, Lorik Cana.
Me dy vjet ende në kontratë, 31-vjeçari kërkon të vazhdojë karrierën në Itali dhe kjo është pista më e mundshme, por nga ana tjetër qëndron Olympique Marseille që do ta priste me krahë hapur një rikthim të mundshëm të tij. Sipas faqes së specializuar, Lalaziasiamonoi.it, Cana ndihet komod në Romë por nëse Edy Reja qëndron sërish në stol, atëherë mundësitë e aktivizimit titullar do të jenë më të pakta për të.
Në repartin e mbrojtjes nuk janë vetëm emrat në dalje që bëjnë bujë pasi edhe blerjet e reja mbeten në qendër të vëmendjes. Njëri prej tyre është Shkodran Mustafi, i cili do të luajë edhe në Botërorin 2014 me kombëtaren e Gjermanisë. Lojtari kosovar mund t’i japë lamtumirën Sampdorias për të vazhduar një eksperiencë në nivele më të larta. Në rast se klubi xhenovez ndez dritën jeshile, atëherë nuk është çudi që kolonisë së shqiptarëve në kryeqytetin italian t’i bashkohet edhe një tjetër emër.





