Rikthehet interesi i Lazios për Ergyc Kaçen. Madje jo vetëm kaq, klubi bardhekaltër sipas Tuttomerkatoweb, i ka bërë një ofertë konkrete mesfushorit të PAOK-ut të Selanikut, që shkon më shumë se 1.5 milionë euro në sezon. Një lajm sensacional për futbollistin e kombëtares kuqezi 6 muaj para finaleve të Francë 2016.
22-vjecari i lindur në Korcë ka kontratë me klubin grek deri në vitin 2017, por javët e fundit, sikurse është raportuar edhe nga mediat helene, ka refuzuar rinovimin e kontratës. Arsyeja duket qartë se është dëshira e futbollistit për t’u transferuar te Lazio në Serinë A, ku do të kishte një pagë të pakrahasueshme me atë që përfiton në Greqi. Në fakt, drejtori sportiv i klubit italian, Igli Tare, ka tentuar ta marrë Kaçen nga PAOK-u që verën e kaluar, por drejtuesit e skuadrës nga Selaniku rezistuan, pasi synonin të fitonin më shumë para nga shitja e kartonit të tij. Në rast se Paoku nuk pranon ta shesë gjatë merkatos së janarit apo në verë, në fund te sezonit 2016-2017 do ta humbiste lojtarin me parametër zero.
Gjatë këtij sezoni Kace është aktivizuar në 10 ndeshje në Superligën e Greqisë, 7 herë titullar dhe 3 herë si zëvendesues, ndërsa në katër sfida të tjera ka qëndruar gjatë gjithë kohës në stol. Në Europa League ka luajtur po 10 ndeshje, duke qenë zgjedhje e parë e trajenerit Igor Tudor.