Takimet mes LDK-së e lëvizjes “Vetëvendosje” duket se i kanë kthjelluar edhe më shumë qëndrimet e të dy taborëve politikë.
Ata kanë vendosur të hapin një kapitull të ri që lë pas të gjitha kundërshtimet politike që i kishin në të kaluarën, duke i hapur rrugë bashkëpunimit.
Të paktën kështu janë shprehur përfaqësues të të dyja partive politike, të cilët thonë se tashmë janë gjetur më shumë pika që i afrojnë këto subjekte sesa që do t’i largonin.
Si pikë të përbashkët kanë përmendur programin kombëtar.
Ata kanë pranuar se nga të dyja palët ka sens politik për t’u afruar.
Të dyja blloqet për gazetën“Zëri” kanë konfirmuar një takim të radhës, në të cilin do të vazhdohet përpjekja për përafrime programore.
Shkodran Hoti, zyrtar nga lëvizja “Vetëvendosje”, ka thënë se në takimin e dytë me LDK-në është diskutuar për harmonizimin e programeve, por akoma nuk është arritur ndonjë përafrim programesh.