Njëri prej ministrave aktualë mund të jetë kandidat i LDK-së për Kryeministër në zgjedhjet e 11 qershorit. Gjasat më të mëdha i ka ministri i Ekonomisë, Avdullah Hoti. Në garë është edhe Kryetari aktual i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Gara se kush do të jetë Kryeministër i ardhshëm nga radhët e LDK-së është ngushtuar në disa persona pas paralajmërimit të Isa Mustafës se do të tërhiqet nga kjo garë.

Gazeta Express ka mësuar se në mesin e atyre që prite të jetë kandidat për Shef të Qeverisë është ministri aktual i Financave, Avdullah Hoti. Megjithëse, Hoti e ka përjashtuar mundësinë të jetë kandidat i LDK-së për Shef të Qeverisë pasi s’ka qenë i konsultuar më parë për një mundësi të tillë.

Sidoqoftë, në garë për kreun e Qeverisë është edhe Lutfi Haziri, Kryetar i Gjilanit.

Burme të Express kanë treguar se Hoti ka mbështetjen e Isa Mustafës dhe pjesës më të madhe të udhëheqjes së LDK-së, por, mbështetës ka edhe kandidati tjetër i LDK-së, Lutfi Haziri.

LDK në dy palë zgjedhjet e fundit ka humbur përballë PDK-së duke dalë partia e dytë. Në zgjedhjet e parafundit kishte qëndruar në opozitë derisa pas zgjedhjeve të fundit kishte lidhur koalicion me PDK-në, duke marrë kështu edhe pozitën e Shefit të Qeverisë.

Mirëpo, PDK, rrëzoi Qeverinë bashkë me opozitën për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Nga PDK deri më tash dihet se kandidat për Kryeministër është Kadri Veseli, nga AAK Ramush Haradinaj kurse nga Vetëvendosje ende s’dihet nëse është Visar Ymeri apo Albin Kurti.