Shqipëria turistike merr sërish vëmendjen e mediave europaine. E përditshmja franceze “Le Figaro” e ka renditur vendin tonë mes 5 destinacioneve më interesante që duhen zbuluar.
Sipas medias franceze, Shqipëria është një vend ende i ruajtur, për t’u zbuluar dhe admiruar. Udhëtimi në Shqipëri konsiderohet një eksperiencë unike pasi historia e vendit sipas shkrimit karakterizohet nga aventura të shumta, që nga kolonitë greke të Ilirisë së lashtë e deri te osmanët.
“Vendet e saj të mrekullueshme arkeologjike dhe atmosfera e saj orientale në udhëkryqin e qytetërimeve emocionojnë çdo vizitor të saj” – thuhet në shkrim.
“Le Figaro” nënvizon se vendi është pothuajse të paprekur nga turizmi masiv. Rekomandohen vizitat në liqenin e Ohrit, parkun e Butrintit, por edhe qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës që janë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.