DURRËS 16 qershor 2014 –  Mund të ishte bërë aktore në Hollivud, pasi ka qenë e bukur, këtë deklarim e ka bërë në të përditshmen më të madhe franceze “Le Monde” një burrneshë durrsake: Dianë Rakipi.

Gazetarët parizianë i ka magjepsur historia e një “burri”, që pak veta në Durrës e dinë se është femër, sidomos po të përmendim faktin se u bënte “rreshtore” edhe burrave “të fortë” të biznesit kur hynin në doganë.

Ndërkohë në titullin e zakonshëm të artikullit kushtuar Dianës: “La femme est un homme comme les autores” (Gruaja është një burrë si gjithë të tjerët), bëhet një lojë fjalësh nga “Le Monde”-i, me titullin “L’homme est une femme comme les autores” (Burri është grua si gjithë të tjerat) të një filmi francez me regjisor Zhan-Zhak (Jean-Jacques) Zilbermann.

 “Dyrrah”-u ka bërë një përmbledhje të reportazhit të “Le Monde” –it, ku autorët kanë qëmtuar fakte interesante nga jeta e personazhit më ekzotik të qytetit bregdetar.

Zonjë apo zotëri? Një ngjarje me doganën italiane

Prapa xhamit antiplumb, doganieri italian po ngurronte. Mos e kishte lexuar gabim? Jo, pasaporta shqiptare e hapur para tij ishte në fakt i përkiste një gruaje. Por dora që e mbante ishte e një burri të vjetër. Person i çuditshëm vërtet, me atë fytyrë të regjur, me flokët e thinjur në një beretë mënjanë, me qëndrim ushtaraku, dhe zë të rëndë. Për t’i dhënë fund zvarritjes, funksionari u detyrua të thoshte: “Ka një problem, zotëri, është pasaportë gruaje, ndërkohë që ju jeni burrë”.

Një javë më vonë, Diana (emri i saj u ndryshua) tregon skenën me një përzierje shakaje dhe dhe indinjate. Kush e bëri, doganieri italian? Ajo këmbëngulte: “Vetëm nëse e kam bërë unë”. Dhe funksionari kërkoi falje: “Kaloni, zonjë. Përfundimisht, zotëri”.

Zonjë apo zotëri? Shtrohet pyetja. Diana është burrneshë [shqip në origjinalin frëngjisht – “Dyrrah”-u], një nga të dikurshmet “virgjëresha të betuara" shqiptare, gratë që zgjodhën të jetojnë si burrë për t’i shpëtuar mbizotërimit të një sistemi patriarkal. Të bëhesh nga pikëpamja sociale burrë duke paguar haraçin e një zotimi për të qëndruar e virgjër dhe beqare. Vetëm nga pikëpamja sociale: fakti nuk ka të bëjë me lezbizmin apo transformimin fizik.

Për më shumë liri

 “Bëra zgjedhjen që të kisha më shumë liri”. Diana flet për veten në gjininë mashkullore. Kravatë e kuqe, beretë e zezë, shikim i ashpër, buzëqeshje e rrallë, por e sinqertë, një e kaluar ushtarake gdhendur në fytyrën e tij / e saj.

Diana ishte 17 kur vendosi të bëhet burrneshë. tani në moshën 60 vjeç bën not rregullisht në detin e ftohtë gri, që e sodit nga dritaret e kafes së portit të Durrësit buzë Adriatikut. Është si në shtëpi. Përqafon një kamerier të kafes, vendos cigaret në mbulesën e verdhë të tavolinës në një mënyrë familjarizuar më parë.

“Jam lindur në malësinë e veriut pasi më vdiq vëllai”. Nënë kosovare, baba oficer në ushtrinë shqiptare, me shërbim në Tropojë kur u lind Diana. Në këtë qytet të vogël në kufirin e tanishëm me Kosovën, Diana kaloi nëntë vitet e para të jetës.

“Zëvendësova thjesht tim vëlla”

Në Tropojë, vajza e vogël është tashmë një djalë i vogël. “Im atë më ka konsideruar gjithmonë si djalë, kam zëvendësuar një vëlla pak më të madh, i cili vdiq para se të lindja. Dhe ndjehesha si të isha djalë”.

Në shkollë, më pas në gjimnaz, duke shpërfillur kodet sociale dhe vështrimet kritike, vesh pantallona, luan futbolli, s’ia përton grushteve. Vetëm si koncesion të gjinisë së lindjes, i ka mbajtur të gjatë flokët, deri sa i preu kur mbushi 17 vjeç. Para prindërve, një betim: "Baba, dua të jem virgjëreshë e betuar, është zgjedhja ime dhe nuk duhet të jeni kundër”.

Duke kujtuar betimin, godet tryezën. Pastaj rinis cigare. Që shtatë vjeç Diana filloi të pijë duhan me llullë. Duhani, një privilegj i burrave njëherë e një kohë.

“Mund të isha bërë aktore në Hollivud!"

Diana nuk ka fëmijë. Nuk u martua kurrë, mbeti e virgjër. “Kujt do t’ia mbante të më prekte? Do t’ua prisja ato…” Ajo thotë nuk i ka ardhur keq asnjëherë për zgjedhjen, pasi i mundësoi të jetonte e lirë. Po të kishte lindur në një vend tjetër, në një kohë tjetër, në një sistem tjetër, ndoshta ai do të bënte një tjetër zgjedhje.“Isha e bukur, prandaj mund të bëhesha aktore në Hollivud!” Kot sa ta pyesësh. 

Jeta e saj është ajo që ka tani. Dalë në pension pasi punoi në policinë doganore të portit të Durrësit, Diana i është përkushtuar pikturës, fotografisë, shëtitjeve me biçikletë në skelë. Si burrë merr pjesë edhe në grupe të pajtimit të familjeve në gjakmarrje. Dhe pastaj ka miqtë dhe familjen, ndaj së të cilës ndjehet përgjegjëse. “Unë jam burri i familjes”, thotë ai, edhe pse ka dy vëllezër. Kur një prej motrave do të martohej me një italian, Diana kapërceu Adriatikun për të marrë “informacion” për dhëndrin dhe familjen e tij, para se të jepte pëlqimin.

Nuk i pëlqejnë gratë por lufton për të drejtat e tyre

Sa për miq, ajo parapëlqen shoqërinë e burrave. Gratë janë xheloze, merren me thashetheme, janë të dobëta, garanton ajo. Si për paradoks, thotë se ende lufton për kauzën e tyre. “Po, vishem si mashkull, u bëra burrneshë, por unë gjithmonë kam luftuar që gratë të kenë të njëjtat të drejta si burrat”. Këmbëngul. Numëron “betejat” që ka bërë. Për gratë drejtuese taksish, që miqtë e saj t’u japin më shumë liri grave dhe vajzave të tyre.

“Sot, vajzat kanë më shumë liri, ata nuk kanë nevojë që të bëhet burrnesha për të shpëtuar nga situata”.

Shënim: Fotoja është realizuar nga njëra prej bashkautorëve Emilienne Malfatto, shoqëruar me shënimin “Diana, Durrës, buzë Adriatikut”.

/Përktheu dhe redaktoi th. m. / agjencia e lajmeve “Dyrrah”/