KINE – Në njëjtën ditë, kur në Newtown regjistrohej tragjedia që i kushtoi jetën 27 viktimave, nga të cilët 20 fëmijë, në Kinë, në një shkollë në provincën Henan, një burrë i armatosur me një thikë plagosi 22 fëmijë dhe një të rritur.
Në videon e bërë publike nga e përditshmja franceze “Le Monde” shihet burri që futet në oborrin e shkollës dhe godet me thikë një fëmijë. Pas çaste më vonë, dhjetëra fëmijë të trembur dalin jashtë godinës.
Personi që plagosi fëmijët u arrestua pak minuta më vonë nga policia. Sipas statistikave të autoriteteve kineze dhuna ndaj të miturve dy vitet e fundit është rritur ndjeshëm duke shënuar 20 viktima dhe 80 të plagosur.
Fëmijët e plagosur pak ditë më parë ishin të moshës 6-12 vjeç, por fatmirësisht plagët e marra në fytyrë dhe në duar nuk ishin shumë të rënda.
36 vjeçari i arrestuar i tha policisë se e kreu aktin, ndërsa dëgjonte zërat që flisnin për fundin e botës sipas profecisë Maya.
Në linkun e mëposhtëm gjeni videon që përshkruan momentet kur personi në fjalë hyri në shkollë dhe nisi të plagoste fëmijët.
http://www.lemonde.fr/asie-pacifique/video/2012/12/18/les-cameras-de-surveillance-filment-l-attaque-d-une-ecole-en-chine_1808028_3216.html