Nga Alfred Lela
13 tetor 2015 – Edi Rama nuk e ka lënë të bjerret traditën e përdorimit prej politikës të ngjarjeve të tjera që kanë implikim kombëtar. Me një këmbëngulje djaloshare, shefi i qeverisë iu qep kombëtares së futbollit duke përpunuar një dekor, një zej ku është mjeshtër, me anë të të cilit po hijeshon njëqind të zezat e një partneriteti të vështirë me aleatin Meta; një qeverisje me krisje e prej së cilës dëgjohen krisma.
Meqë po ia rëndojmë kritikën, le t’i blatojmë edhe hakun zotit Rama.
Të themi se, për shembull, ai e ka bërë diçka për këtë Kombëtare. Stadiumin e Elbasanit, duke e nxjerrë përkohësisht nga mizerja e “Qemal Stafës” dhe “Loro Boriçit”, ku i luante më parë ndeshjet përfaqësuesja shqiptare.
Dje, gjatë takimit me ekipin e kualifikuar ai ka premtuar edhe Arenën kombëtare të futbollit, një dhuratë e merituar për skuadrën që i priu ëndrrës shqiptare për në Europianin Francë 2016.
Bashkë me nevojën e një stadiumi serioz, z. Rama artikuloi dje edhe njëfarë përçmimi për ata që iu turrën kombëtares pas humbjes me Serbinë. Sot ata kanë kaluar me brof në vagonin e madh të atyre që i quajnë luanë djemtë e kombëtares, por pas disfatës me Serbinë në minutat shtesë të ndeshjes, qenë në grupin e shigjetarëve. Kryeministri, megjithatë, harron ose shmang atë se, bash vetë ai qe në krye të kudhrës vluese ku u farkëtua ai shqyt i dobët që u shqye në duelin me serbët. Përvëlimi për të prodhuar një ndeshje dhe komb ‘politikisht korrekt’ prodhoi një frustrim që ndikoi edhe te leqet e lojtarëve tanë.
Sigurisht, ndeshja me Serbinë nuk qe fundi i botës dhe djemtë e De Biazit ua dëshmuan këtë të gjithë atyre pamja e të cilëve nuk sheh larg një ndeshjeje.
Jo se gjithë të zezat errësojnë vetëm siluetën qeveritare.
Një sekt, kryesisht përbërë nga të margjinalizuarit e paepur, gjeti mjaftueshëm hutim publik për të artikuluar ‘tezën’ e një ndeshjeje të shitur e një të blerë. Jargët e këtij mëtimi kërkonin të linin tragën e një konspiracioni, sipas të cilit, ishte bërë një pakt disapalësh; që të qetësohej Serbia nëpërmjet një ‘shpagimi’ në Elbasan’ dhe tri pikët që duheshin për në Francë të ‘rregulloheshin’ në Erevan.
Atentat më të madh kundër skeptrit që sollën në Shqipëri djemtë e Kombëtares nuk mund të thurej.
Pandehmën në fjalë e daroviti edhe një ish-ministër socialist, tashmë deputet demokrat, në frëngjinë e tij të facebook-ut. Të gjithë në mënyrën e tyre kërkonin të milnin, të pinin ose të derdhnin nga qumështi që prodhonin sisët plot lajme, kundërthënie e entuziazëm të Kombëtares shqiptare.
Nuk i rezistoi, por iu dorëzua frenezisë edhe shefi i opozitës, Lulzim Basha, zakonisht i kthjellët në mjegullnaja të tilla, kur kërkoi lirimin e Ballist Morinës. Sikur ky arrestim të shkonte në kah të kundërt me kualifikimin e Kombëtares. Sikur Morina të ishte arrestuar për flamurin kombëtar e jo për dy “Zastava”, një gëzhojë plumbi e tri duzina biletash në makinë.
Arsyetimi i lirimit të Morinës se ai ka ‘dronin ma t’mir prej krejtve’ është si të lirosh Tunën e kapur me drogë ngaqë ajo mund të ketë zogun të tillë.
Heronjtë e hamendësuar që u dashkan lejuar të jetojnë përtej ligjit janë një predispozitë primitive.
Për të mos folur për Spartakun e Pamposhtur të të gjitha prapaskenave, që u dha në burgun e Vaqarrit për t’u takuar me ‘ballistin më të famshëm në Shqipëri’. Nuk dihet, me porosi apo jo. Me apo pa çantën e zezë.
Me ç’shihet, të gjithë, nga pak por me ngulm, janë munduar të pinë nga sisët e mëdha të triumfit të përfaqësueses së futbollit.
Le ta bëjnë. Në fund të fundit, ajo nuk është një lopë e thjeshtë. Kjo kombëtare është ulkonja që themeloi Romën tonë të futbollit*.
*Legjenda e ka se një ulkonjë i shpëtoi dhe mëkoi me qumësht Romulin dhe Remin, dy foshnja që më vonë u bënë themeluesit e Romës. Një statujë që quhet Ulkonja Kapitoline gjendet edhe sot në Kampidolio.
“Mapo”
/portali DurresLajm/