Rafa Leao është shëruar. Portugezi, i cili u ndal në 11 nëntor për shkak të një dëmtimi në kofshën e djathtë, ka tejkaluar zyrtarisht problemin fizik.

Këtë e dëshmojnë testet e kryera këtë mëngjes nga numri 10 i kuqezinjve: ai tani mund të fillojë procesin e rikthimit në ekip.

Prania e tij të shtunën kundër Atalantës është e vështirë, por trajneri Pioli mund ta thërrasë në stol.

“Ndihem mirë, nuk është një dëmtim serioz, por nuk duhet të rrezikohet. Unë jam duke punuar së bashku me mjekët për t’u rikthyer në formën time maksimale për të ndihmuar ekipin. Shpresoj të kthehem së shpejti”, tha Leao, i cili më pas u ndal te titulli kampion.

“Sigurisht që besoj, kampionati është i gjatë. Skuadra ime po bën mirë. Ka pasur ndeshje në të cilat duhej të bënim më mirë dhe duhej të fitonim, por tani po kthehemi te fitoret në “San Siro”. Unë i besoj ekipit sepse kemi nënshkruar me lojtarë me cilësi të madhe. Pulisic shënoi një gol të mrekullueshëm në ndeshjen e fundit, bashkëlojtarët e mi do të japin 100% për ekipin, ata bënë shumë mirë dhe jam i lumtur”, shtoi portugezi.

Leao nuk është parë në fushë që nga Lecce-Milan (ndeshje që përfundoi 2-2). Sidoqoftë, përdorimi i tij në Champions League për ndeshjen në transfertë me Newcastle është i mundshëm.