Deri më tani durrsakët e drejtuar nga trajneri Diego Longo e kanë provuar veten në tri miqësore me kundërshtarë nga Maqedonia e Veriut dhe Rumania, si dhe Kombëtaren e Kirgistanit. Në të tria miqësoret Teuta ka barazuar, por rezultati nuk ka qenë në plan të parë, pasi Longos i ka interesuar më tepër loja dhe gjendja fizike e lojtarëve. Një prej titullarëve, mesfushori Ledio Beqja, i cili ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, ka folur rreth përgatitjeve dhe atë që pret nga sezoni i ri. 22- vjeçari është një produkt i akademisë së Teutës dhe shihet një element që mund të shpërthejë dhe të shitet nga klubi në të ardhmen.
Ledio, si kanë shkuar përgatitjet në Bullgari?
Gjithçka shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Jam një grup i mirë lojtarësh, që mendoj se kemi shumë për të dhënë. Stafi teknik na ka motivuar shumë dhe jemi ndier shkëlqyer në këtë periudhë.
Sa kanë ndikuar ngarkesat në stërvitje këtë periudhë?
Është normale që faza përgatitore të jetë e lodhshme. Çdo ditë ka vështirësitë e saj dhe është e natyrshme të ndiejmë lodhje. I kemi këmbët e rënda, sepse punojmë me intensitet të shtuar. Jemi duke ndërtuar stilin e lojës dhe deri në fillim të sezonit të ri besoj se do të jemi maksimalisht të përgatitur.
Si e shihni të ardhmen, çfarë planesh keni?
Unë jam nën kontratë me Teutën dhe do të jem bashkë me ekipin në këtë sezon për të tentuar më të mirën. Kategoria Superiore do të jetë edhe më e vështirë, pasi janë rikthyer emra të mëdhenj ekipesh. Objektivat personalë, rekorde apo statistika, për mua janë të pavlera nëse nuk janë në shërbim të ekipit. Për mua rëndësi ka që të bëj më të mirën për skuadrën e Teutës. Ai do të jetë objektivi im personal.
Çfarë prisni nga sezoni i ri?
Kemi skuadër cilësore dhe besoj se do të luftojmë për të arritur sa më lart në renditje, por është fusha ajo që do të tregojë se çfarë do të marrim nga sezoni i ri.