Pavarësisht ngarkesave fizike, kjo fazë është e rëndësishme për futbollistët. Ledio Beqja vlerëson punën që bëhet te Teuta, ndërsa sheh me optimizëm për sezonin e ri.
Si është gjendja juaj në këtë javë të parë të fazës përgatitore?
Ndihem shkëlqyeshëm në këtë fazë, gjithçka shkon në mënyrën më të mirë të mundshme. Jam në një grup shumë të mirë. Të gjithë lojtarët, ashtu edhe nga stafi teknik janë bashkë dhe kjo më motivon më shumë.
Pesë ditë në Pukë, si po shkon faza përgatitore?
Është normale faza përgatitore të jetë e lodhshme, çdo ditë ka vështirësitë e saj dhe nga ngarkesat e larta është e natyrshme të ndiejmë lodhje. Kjo ndikon që në ndeshjet kontrolluese t’i kemi “këmbët e rënda” dhe në fakt ashtu duhet të jetë, sepse punojmë me intensitet të shtuar. Por do të vazhdojmë paralel me përgatitjet fizike edhe të ndërtojmë lojën dhe formën tonë. Dhe deri në fillim të sezonit të ri besoj të jemi maksimalisht të përgatitur.
Një sezon i mirë dhe për ju në aspektin personal. Si e shihni të ardhmen?
Unë jam në kontratë me Teutën dhe do të jem bashkë me ekipin në këtë sezon për të tentuar të bëjmë mirë. Kategoria Superiore këtë sezon do të jetë shumë e vështirë, pasi ka emra të mëdhenj ekipesh. Si Teutë do të tentojmë maksimumin. Besoj që ka qenë sezoni i mirë për mua, por tani me një ecuri të mirë rikuperuese për sezonin e ri do të jem pranë ekipit për të dhënë kontributin tim.
A ka Ledio një objektiv personal te Teuta?
Objektivat personalë, rekorde apo statistika, për mua janë të pavlera nëse nuk janë në shërbim të ekipit. Për mua rëndësi ka që unë të bëj më të mirën për skuadrën e Teutës. Ai do të jetë objektivi im personal.
Çfarë prisni nga sezoni i ri?
Kemi skuadër shumë cilësore dhe besoj se do të luftojmë për të arritur sa më lartë në renditje, por është fusha ajo që do tregojë se çfarë do të marrim nga sezoni i ri.