Prej një kohe të gjatë moderatori Ledion Liço vendosi të shkëputej nga ekrani dhe jeta publike (përveçse në ndonjë postim të rastësishëm në Instagram-in e bashkëshortes së tij Sara). Që prej drejtimit të “The Voice Kids”, aventurës së tij të fundit në televizion, ai vendosi që të kishte një tjetër rol jashtë ekranit por gjithnjë prezent në “Top Media”.
Burime për “News31” kanë bërë me dije se Ledion Liço ditën e sotme është emëruar “General Manager” i kanaleve muzikore Radio TV të Top Media ku bën pjesë edhe “Top Albania Radio”. Presidentja e Top Media-s, Vjollca Hoxha, ka prezantuar zyrtarisht sot drejtuesin e radios më të dashur në vend.
Pas një kohe të gjatë si prezantues në Top Albania Radio, ai rikthehet për të vazhduar programet traditë të “Top Albania”-s, por edhe të sjellë ide te reja përsa i përket programacionit.
Kohët e fundit Ledioni është përfolur në mediat online për një rikthim si drejtues në shtëpinë e tij mediatike dhe tashmë është zyrtare. /news31





