LSI-ja mund të kërkojë dhe bashkinë e qytetit nr. 2 të Shqipërisë: Ndihem i vullnetshëm për t’i shërbyer Durrësit, nëse do të më kërkohet
DURRËS, 20 nëntor 2013 – LSI-ja mund të kërkojë dhe bashkinë e Durrësit pas dy vjetësh, kështu ka lënë të kuptohet deputeti Lefter Koka, ish-qytetari në. 1 i qytetit bregdetar në periudhën 2003-2006 si përfaqësues i PS-së. “Jam në krye të Ministrisë së Mjedisit për t’i shërbyer vendit, por edhe Durrësit, nëse do të më kërkohet”. Në këtë mënyrë e ka lënë të hapur mundësinë për një kandidim të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme lokale për bashkinë e Durrësit Lefter Koka në emisionin Tonight Ilva Tare, më 19 nëntor 2013. I vetmi deputeti i LSI-së për qarkun e Durrësit, Lefter Koka mund të lërë mandatin: “Ka qenë një dakordësi e zotit Rama me zotin Meta që Ministrat të dorëzojnë mandatin e deputetit. Në momentin që të na kërkohet do ta dorëzojmë, jo të gjithë njëherazi, por në disa seanca”. Sipas gazetares së njohur Ilva Tare, ka perceptime që Kokës i shkon më shumë kostumi i kryebashkiakut sesa i deputetit të Durrësit, kurse ministri i Mjedisit thotë shkurt: “Jam i bindur që suksesi do të jetë po i njëjtë edhe në krye të ministrisë”. Për Kokën është shumë shpejt për të folur për zgjedhjet e ardhshme vendore, i pyetur nëse do të kandidonte për kryebashkiak të Durrësit. Koka iu përgjigj me diplomaci dhe maturi: “Gjithsesi, nuk jam unë që mund të flas. Unë bëj pjesë në një formacion politik dhe sot ky formacion është një aleancë me një tjetër forcë politike dhe ndarja e qyteteve do jetë e një marrëveshjeje politike dhe është shumë shpejt ta mendoj sot. Tani ndihem i vullnetshëm për t’i shërbyer vendit dhe për t’i shërbyer edhe Durrësit, nëse do të më kërkohet”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





