I ftuar në emisionin “Real Story”, deputeti Lefter Koka është shprehur lidhur me qëndrimin e tij në mbështetje të kërkesave të opozitës së re për lista të hapura dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
Koka deklaroi se nuk mund të vazhdohet akoma me këtë sistem zgjedhor, ku 2-3 individë vendosin për gjithçka.
Koka u shpreh se është pro listave të hapura, duke shtuar se sistemi me lista të mbyllura gjithmonë ka qenë i kontestuar, nga palët politike, por edhe nga ndërkombëtarët.
Ndërkohë, i pyetur nga moderatori Sokol Balla se për kë forcë politike do të kandidonte për një mandat deputeti në zgjedhjet e ardhshme, Koka u përpoq t’i shmangej përgjigjes së drejtpërdrejtë duke u shprehur se ajo që dinte me siguri është se “Do të jem votues i Partisë Socialiste”.
Më tej deputeti Koka (i cili ka tre mandate deputeti në Durrës, i zgjedhur nën siglën e LSI-së, por i përjashtuar nga kjo forcë politike pasi nuk pranoi të dorëzonte mandatin shkurtin e vitit të kaluar), shtoi se nuk ishte në dorën e tij kandidimi. Koka tha gjithashtu se edhe mund të mos kandidonte më në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për një mandat të katërt deputeti.





