DURRËS, 24 dhjetor 2013 – Një radiografi e bujshme për koncesionet në portin e Durrësit, këtë e bën deputeti i qarkut Durrës i LSI-së, ministër i Mjedisit Lefter Koka. Me shumë gjakftohtësi, pa përdorur fyerje apo banalitete, në seancën e 23 dhjetorit 2013, ku u diskutua buxheti, Koka iu drejtua kolegëve të opozitës: “Ndihem keq kur mendoj se të ardhurat, që kanë koncesionet e dhëna në portin e Durrësit, janë të barabarta me buxhetin e Ministrisë së Mjedisit. Pra, nuk mjafton dhurata që i keni bërë vetes, duke abuzuar me pronat e këtij populli të varfër, por shqetësoheni se do paguajnë 5 për qind më shumë tatimfitimi kompanitë tuaja. Inauguruat me shumë pompozitet e në koncerte që vetëm “Bushi” i portit dinte t’i bënte, investime të bëra me kredi të marra nga institucione të ndryshme financiare, rreth 25 milionë euro. Për përfunduar mirë investimet, nuk i latë të gëzohen durrsakët”. Koka ka bërë disa llogari të thjeshta dhe të kuptueshme për të gjithë për të vërtetuar ankesat e durrsakëve se portin e Durrësit e grabitën klientët e qeverisë së kaluar. Problemet e ngritura një ditë më parë në foltoren e Kuvendit, nuk janë të reja për “Dyrrah”-u, i cili ka shkruar disa herë për koncesionet. Gjithsesi, “durreslajm.com” po e boton të plotë fjalën e deputetit durrsak dhe ministër Mjedisi Lefter Koka.
POMPOZITET E KONCERTE TË “BUSHIT”
Qeveria e kaluar na la trashëgim një gjendje të vështirë ekonomike, nga keqadministrimi i taksave dhe shumë më keq nga keqadministrimi i pronave të shqiptarëve. Ndihem keq kur mendoj se të ardhurat, që kanë koncesionet e dhëna në portin e Durrësit, janë të barabarta me buxhetin e Ministrisë së Mjedisit. Pra, nuk mjafton dhurata që i keni bërë vetes [u drejtohet deputetëve të opozitës], duke abuzuar me pronat e këtij populli të varfër, por shqetësoheni se do paguajnë 5 për qind më shumë tatimfitimi kompanitë tuaja [të qeverisë së PD-së]. Inauguruat me shumë pompozitet e me koncerte që vetëm “Bushi” [Eduard Ndreu, ish- drejtor i përgjithshëm ekzekutiv] i portit dinte t’i bënte, investime të bëra me kredi të marra nga institucione të ndryshme financiare, rreth 25 milionë euro. Për përfunduar mirë investimet, nuk i latë të gëzohen durrsakët. Ua rrëmbyet ato.
GJERMANËT E KALATËS LINDORE
Siç thonë vetë durrsakët: “na e rrëmbyen gjermanët kalatën lindore” [EMS Shipping and Trading GMBH]. Kur porti administrohej nga shteti, punonin mijëra durrsakë dhe, kur për të ngarkuar a shkarkuar një ton, kushtonte vetëm 5 800 lekë të vjetër. Porti merrte 70 për qind të kësaj shume, pra 4 060 lekë dhe agjencitë që kishin të punësuar mijëra punëtorë, merrnin 1 740 lekë për ton. Dhe në total porti merrte 3,5 milionë tonë të barabarta me 14 miliardë lekë. Dhe agjencitë durrsake 9,1 miliardë lekë. “Po pse duhet t’ua jepte Bushi gjermanëve koncesionin?”, pyesnin durrsakët. Edhe tani që blenë vinçat e rinj, akoma nuk e kanë marrë përgjigjen. Gjermani u tregua i pamëshirshëm: hoqi qindra durrsakë nga puna dhe çmimin e ngriti nga 5 800 lekë në 7 000 lekë për ton dhe, në shenjë “mirënjohjeje”, porti merrte vetëm 11 për qind, pra vetëm 770 lekë të vjetër. Pra, 3 milionë e 500 mijë tonë për 770 lekë baras me 2 milionë e 695 mijë euro. Nga 14 miliardë porti merr më pak se 3 miliardë. Thënë me pak fjalë, kjo është një mbledhje me turp.
TERMINALI I UDHËTARËVE
Zgjedhjet afronin. Një tjetër “gjermano-laçian” [FRS Chartering Beteiligunsgesellschaft MBH dhe Global Albania Networking për “Albanian Ferry Terminal Operator”] na mori terminalin [e udhëtarëve / trageteve] dhe ky i sapo-përfunduar. Investim i bërë dhe ky me kredi. Ky “gjermano-laçian” u merr 800 mijë pasagjerëve 4 euro për person. Dhe 1 milion e 547 mijë euro i merr koncesioni dhe 1 milion e 600 euro porti, në këtë rast Bushi nuk është treguar aq tolerant, i merr porti, d.m.th 51 për qind.
AUSTRIAKU I MIRËMBAJTJES
Por e keqja nuk kishte të sosur. “Na e mori austriaku [kompania “Cargotec’s Kalmar”] mirëmbajtjen”, thonë durrsakët. Kur ishte shteti, punonin 120 vetë, paguheshin 700 milionë lekë të vjetra dhe kur e mori austriaku me vinça e pajisje të reja, kushton 1,2 miliardë lekë dhe punojnë vetëm 20 njerëz. Iu sos durimi durrsakëve dhe Bushi “gjeneroz” u tha se do t’ua jepte në formë shpërblimi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin që i keni dhënë së partisë, mirëmbajtjen e linjës elektrike, mirëmbajtjen hidraulike dhe prapavijën. Në total, këta zotërinj u marrin apo u vjedhin shqiptarëve 20,4 miliardë lekë në vit. Kjo shifër është e barabartë me buxhetin e Ministrisë së Mjedisit, ku punojnë rreth 1 300 njerëz dhe kryhen të gjitha shërbimet.
TAKSA E QARKULLIMIT
Për t’u ndalur pak te taksa e qarkullimit, unë do të thosha se shqetësimi real nuk është ky që ngre opozita. Po t’i referohemi një kamioni, i cili niset me 30 tonë nga Bulqiza, kërkon mesatarisht 100 litra naftë dhe ajo që po kërkon shteti shqiptar për t’u rikthyer qytetarëve shqiptarë është afërsisht 10 mijë lekë të vjetër. Ajo që merr gjermani, është afërsisht 180 mijë lekë për një kamion. Ndaj, të nderuar miqtë e mi, nuk është kjo taksa që u rëndon shqiptarëve. Unë mendoj se gjetkë duhet parë problemi.
RREGULLAT E LOJËS
Unë mendoj se kjo ekonomi kishte dhe ka nevojë të orientohet drejt disa rregullave të lojës. Unë besoj se rregullat e lojës janë këto që sot janë vendosur. Sigurisht, kjo nuk është e lehtë. Ministria e Mjedisit është me të vërtetë një ministri, e cila ka një buxhet modest. Por unë ju garantoj në kryerjen sa më të sinqertë dhe të devotshme të mbrojtjes së mjedisit, i cili ka kaq shumë nevojë. Prandaj unë do t’ju kërkoja të bëheni pjesë e asaj që duam të bëjmë ne, për ta rikthyer ekonominë në një vathë të shëndoshë.
Shënim: Titujt, mestitujt dhe sqarimet në kllapa katrore janë të “Dyrrah”-ut
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





